|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për Krim të Organizuar

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vazhduar me seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi, Lulzim Berisha dhe Rrahim Brahimi, të akuzuar për shkak të veprave penale: fajde, krim i organizuar dhe detyrimi.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi konstatoi se prezent në seancën e sotme ishin të akuzuarit, mbrojtësit e tyre, përfaqësuesi i palës së dëmtuar dhe prokurori Naim Abazi.

Tutje, seanca vazhdoi me leximin e provave materiale, ku mbrojtja, respektivisht avokati Visar Vehapi propozoi që audio-incizimi i siguruar nga pala e dëmtuar S.B, të shpallet provë e papranueshme.

I njëjti theksoi se një audio-incizim i tillë nuk mund të shërbejë si provë, pasi që nuk është  nxjerrë sipas dispozitave të Kodit.

Në koherencë të kësaj, trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtësit që audio-incizimi i siguruar nga i demtuari të shpallet provë e papranueshme për shkak se lidhur me këtë provë është vendosur nga gjykata e shkallës së parë dhe është vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë.

Më tej, seanca vazhdoi me dëgjimin e audio-incizimit.

Pas dëgjimit të të njëjtit, avokati Vehapi deklaroi se audio-incizimi nuk paraqet provë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, dhe gjykata duhet të kujdeset në çdo fazë edhe në fazën sipas mjeteve, për këtë çështje.

Tutje, i njëjti shtoi se nga audio-incizimi nuk janë të identifikuar subjektet e këtij komunikimi, pasi që tek përgjimet e ligjshme, subjektet identifikohen mbi bazën e urdhërit të gjykatës se ndaj cilit person aplikohen ato masa, prandaj incizimet private nuk janë prova në procedurë penale dhe nuk është rastësi që kodi ka paraparë një gjë të tillë.

Pranë deklarimit të avokatit Vehapi, qëndruan edhe mbrojtësit e tjerë.

Në fund, avokati Vehapi propozoi edhe prova të reja materiale, duke konsideruar se me të njëjtat do të provohet e kundërta e asaj çka pretendon akti akuzues. 

Në këto rrethana, seanca e radhës mbetet të vazhdoj me datën 8 dhjetor.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 maj 2019, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, nga data e pavërtetuar e deri më 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, kishin përfituar nga gjendja financiare e vështirë e të dëmtuarve B.Zh, S.B dhe B.B duke i dhënë para me fajde.

Në aktakuzë theksohet se i dëmtuari B.ZH ka marrë para prej të akuzuarit Dalip Brahimi në periudhën nga gusht 2008 deri në shkurt dhe korrik 2010, në shumën prej 165 mijë e 914 euro dhe i kishte kthyer ato nëpërmjet transaksioneve bankare në shumën 599 mijë euro. Për pjesën tjetër të parave, i akuzuari Dalip Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve B.M dhe I.Zh në formë të një lokale me çmim 167 mijë euro, tre banesa në vlerë prej 146 mijë e 805 euro, dhe një makinë “Mercedes”, vlera e të cilave tejkalon një milion euro. Për të mbuluar këtë diferencë, Dalip Brahimi dhe i dëmtuari B.M ishin pajtuar që të shesnin një parcelë në shumën e 1,001,200.00 euro, edhe pse parcela ishte blerë për 100 mijë euro.

Në këtë rast, thuhet se të akuzuarit kishin dhënë para me përqindje prej 5-15% edhe të dëmtuarit S.B, dhe më pas, për të ndaluar kthimin e kamatës, i akuzuari Dalip Brahimi kishte detyruar S.B të nënshkruante një kontratë për shitblerjen e një banese në lagjen “Dardania” në Prishtinë, që kishte vlerën e të njëjtës shumë që S.B kishte marrë nga shitja e banesës, duke i shtuar edhe “borxhet.”

Tutje, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2010, i dëmtuari J.B kishte kontaktuar me vëllanë e tij S.B, i cili kishte thënë se i akuzuari Bujar Gërbeshi do ti sjellë 15 mijë euro me qëllim të pagesës së doganës për qeramikat që i kishin importuar dhe me të arritur i akuzuari Bujar Gërbeshi tek i dëmtuari J.B, i kishte thënë se 8 mijë e 100 euro do ti ndalë në emër të kamatër së borxhit të vëllait të tij, kurse 6 mijë e 900 euro mund t’i marrë.

Për këto veprime, të akuzuarit akuzohen për veprën penale “Fajde” dhe “Krim i organizuar.”

Përveç kësaj, i akuzuari Dalip Brahimi akuzohet edhe për goditjen e të dëmtuarit S.B më 6 shtator 2015 në Prishtinë, me qëllim që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i dëmtuari Blakqori kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Brahimi për të kërkuar lirimin e banesës, dhe kishte qëlluar të dëmtuarin me fjalë.

I akuzuari Lulzim Berisha akuzohet për ndihmën që i ka dhënë të akuzuarit Gërbeshi për të siguruar detyrimet financiare të dëmtuarit A.F.

I akuzuari Rrahim Brahimi, akuzohet se kishte ndihmuar babanë e tij Dalip Brahimi, që të njëjtit ti sjellë dobi pasurore..

Për këto veprime, të akuzuarit Lulzim Berisha dhe Rrahim Brahimi, po akuzohen lidhur me veprën penale: Fajde nga neni 343 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia sot

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter