|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin e tre të akuzuarve për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Flamur Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi po akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarët, Jetmir Krasniqi dhe Alban Bikliq.

Në dëgjimin e dëshmitarit të parë, në pyetjet e prokurorit Halim Borovci, deklaroi se ka qenë i angazhuar për vitet 2020-2021 sipas objektit të aktakuzës, nga kompania Artech si kontraktor i jashtëm.

Ndërsa lidhur me moskryerjen e punimeve, i njëjti deklaroi se janë vendosur rreth 90 kamera nga 128 gjithsej dhe 40-50 akses kontrolle nga 100 sa ishin planifikuar të vendoseshin.

Se pse punimet nuk ishin kryer sipas kontratës së nënshkruar, dëshmitari Krasniqi theksoi se kjo ishte si pasojë e mospërcaktimit të vendosjes së qendrës së monitorimit nga QKUK-ja dhe si shkak i situatës me Covid-19 në atë kohë, por që pjesa tjetër e mbetur ishte përfunduar në vitet 2021-2022 dhe se për vazhdimin e punimeve ishte lajmëruar nga Flamur Jaha.

Lidhur me pajisjet e mbetura, dëshmitari Krasniqi deklaroi se kamerat kanë qenë të vendosura në depo të QKUK-së, ndërsa rekabineti dhe kanaletat ishin kthyer mbrapsht pasi nuk ishte përcaktuar ende vendosja e qendrës së monitorimit.

Në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Flamur Hajzeraj, avokatit Armend Krasniqi, se a është e vërtet që për shkak të Covid-19, kompania Artech ka lidhur marrëveshje me QKUK me menaxherin e kontratës që pjesa tjetër e punimeve prej rreth 15 % të kryheshin pasi të krijoheshin kushtet për qendrën e monitorimit dhe nga situata me Covid-19, dëshmitari Krasniqi pohoi këtë gjë, duke potencuar se për këtë ishte njoftuar nga Albani si shef i kompanisë.

Sipas dëshmitarit Krasniqi, kontrata për furnizim dhe montim me kamera dhe akses kontrolle ishte përmbushur plotësisht me datë 5 maj 2022, mirëpo i njëjti deklaroi se asnjëherë nuk kanë pasur ankesa deri atëherë për moskryerjen e punimeve me kohë.

Në dëgjimin e dëshmitarit të dytë, në pyetjet e prokurorit Borovci lidhur me afatin e kohëzgjatjes së punimeve, i njëjti deklaroi se ka qenë rreth 60-90 ditë kohëzgjatja sipas kontratës së nënshkruar. Njëjtë si dëshmitari parapak edhe dëshmitari Bikliq potencoi të njëjtat arsye lidhur me vonesën e implementimit të kontratës.

Ndërsa lidhur me pagesën nga QKUK-ja, dëshmitari theksoi se pagesa ishte kryer ende pa u përfunduar gjitha punimet, kryesisht në fund të vitit 2021 dhe se pagesa ka qenë e plotë, por që në pranim teknik nuk ka pasur të deklaruar se nuk janë kryer një pjesë të punimeve. Mirëpo sipas dëshmitarit Bikliq, pagesa ishte kryer pas përpilimit dhe nënshkrimit të një deklarate zotimi për përfundimin e punimeve të mbetura si shkak i arsyeve të lartëcekura, meqë rast janë kryer të njëjtat punime sipas deklaratës.

Seanca e radhes u caktua të mbahet me datë 8 shkurt 2024, nga ora 13:10.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, Fatlum Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqim akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter