Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë në Departamentin Special u mbajt seanca ndaj pesë të akuzuarve për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Marrje ryshfeti, Dhënie ryshfeti dhe Mashtrim me subvencione. Të akuzuar në këtë rast janë Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani konstatoi se prezent në seancën e sotme ishin të akuzuarit, mbrojtësit e tyre dhe prokurori Rafet Halimi.
Seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse.
Prokurori Halimi, në fjalën hyrëse, ndër të tjera, theksoi se duke u bazuar në provat e bashkëngjitura në aktakuzë, respektivisht nga komunikimi në mes të pandehurve, dokumentacioni i AZHB-së, pastaj dëshmitari bashkëpunues, do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Mbrojtësi i të akuzuarit Statovci, avokat Naim Rudari theksoi se kjo aktakuzë si e tillë, nuk do mund të kurorëzohet asnjëherë me aktgjykim dënues i cili do jetë i drejtë dhe i ligjshëm.
Mbrojtësa e të akuzuarit Shkodra, avokate Arbnora Zeqiri, në fjalën hyrëse theksoi se në veprimet e te mbrojturi të saj, nga prokuroria nuk është përshkruar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Tutje, e njëjta shtoi se me provat të cilat do të shqyrtohen gjatë këtij shqyrtimit do të vërtetohet pafajësia e klientit.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Nika, avokat Durim Osmani, fjalën hyrëse e dorëzoi me shkrim dhe i njëjti theksoi se në fund të këtij procesi do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.
Qëndrime të njëjta patën edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, të cilët në fjalën hyrëse kundërshtuan aktakuzën, duke konsideruar se në fund të këtij procesi do të vërtetohet e kundërta e këtij aktit akuzues.
Në këto rrethana, seanca u shtye në afat të pacaktuar.
Sipas aktakuzës si të akuzuar janë Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare, Marrje ryshfeti, Dhënie ryshfeti, Mashtrim me subvencione dhe Ushtrim ndikimi.
Më 15 mars 2023, pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Kurse në seancën e 13 marsit 2023, të akuzuarit Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hazir Metaj, kishin pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por jo edhe për veprën penale “Mashtrim me subvencione”. Pranimin e fajësisë për këtë vepër Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga e kishin bërë në seancën e datës 23 qershor 2023, pasi që aktakuza ishte konsideruar e lexuar.
Ndërkaq, të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Ndërsa, në seancën e datës 23 qershor 2023, Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me Subvencione”, janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.
Andaj Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani