|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet dëshmitari në rastin e Keqpërdorimit dhe Mashtrimit në prokurimin publik 

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku

Fehmi Raçi, në cilësinë e pronarit të kompanisë “Euro Comerc” po akuzohet për mashtrim në prokurim publik, në tenderin e shpallur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari B.R, zyrtar i lartë i prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), i cili në marrjen në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Raçi, avokatit Afrim Salihu deklaroi se lidhur me tenderin përkatës ka qenë në komisionin e rivlerësimit.

Ndërsa lidhur me fillimin e dyshimeve për certifikatën e dorëzuar në dokumentacionin përkatës, i njëjti deklaroi se kjo kishte filluar pas përzgjedhjes së kompanisë ‘Euro Comerc’ si operator ekonomik fitues i tenderit, meqë rast kompania konkurruese tjetër në ankesë kishte paraqitur pretendimet për jovaliditetin e certifikatës së dytë të kompanisë fituese të lartëcekur, të dorëzuar pas kërkesës për sqarime nga komisioni vlerësues i parë dhe pas kësaj ishte marrë vendim për kthimin e procedurës në rivlerësim, meqë rast ishte krijuar komisioni rivlerësues i ofertave për tenderin në fjalë.

Në pyetjen e gjyqtarit të rastit Gëzim Ademi, mbi vërtetimin për jovaliditetin e certifikatës, dëshmitari Racaj deklaroi se kjo ishte arritur të bëhej pas drejtimit me shkresë ndaj trupit certifikues TUV Italia ku ishte konstatuar se certifikata nuk ishte valide, gjegjësisht ishte e falsifikuar.

‘Unë kam qenë në komision të rivlerësimit dhe nuk kam njohuri se pse ju është kërkuar sqarime herën e parë’, deklaroi dëshmitari Raçi në pyetjen e prokurorit Halim Borovci mbi arsyen se pse ishin kërkuar sqarime shtesë nga komisioni ndaj operatorit ekonomik, me të cilën ishte dorëzuar certifikata përkatëse.

Mirëpo lidhur me mënyrën e dorëzimit të certifikatës, i njëjti theksoi se ishte bërë në mënyrë elektronike, ndërsa i akuzuari Raçi deklaroi se ishte dorëzuar në mënyrë fizike dhe për të cilën nuk ka asgjë të protokolluar pasi dorëzohen direkt tek zyrtarët përgjegjës.

Në fund të seancës, mbrojtësi Salihu i propozoi trupit gjykues që gjykata të kërkon ex officio nga KEK-u të dihet saktë për herën e dytë se si është dorëzuar certifikata, përkatësisht a është dorëzuar fizikisht, apo në mënyrë elektronike, propozim të cilin e kundërshtoi prokurori Borovci, ndërsa trupi gjykues njoftoi se në lidhje me këtë propozim do merret vendim në seancën e ardhshme.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 25 janar 2024, nga ora 13:30, ku do dëgjohet si dëshmitar kryetari i komisionit të parë vlerësues për tenderin në fjalë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2022, thuhet se i akuzuari Fehmi Raçi, pronar i kompanisë “Euro Comerc”, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertave për dhënien e kontratës së shpallur më 12 mars 2021 nga autoriteti kontraktues Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me titull “Furnizim me gypa rrethor dhe katror të çelikut”, duke paraqitur dokumentin e falsifikuar, certifikatën e standardeve ISO Standard e 8 shtatorit 2019, e lëshuar nga TUV Italia.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se autoriteti kontraktues KEK, përmes njoftimit mbi vendimin e 12 marsit 2021, e ka shpërblyer operatorin ekonomik “Euro Comerc” me kontratë, mirëpo pas ankesave të parashtruara nga ana e operatorëve tjerë që kanë ofertuar, lënda është kthyer në rivlerësim, e cila pas rivlerësimit është konstatuar se certifikata e lartcekur ka qenë e falsifikuar.

Andaj, me këtë i akuzuari Raçi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter