Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, është duke u zhvilluar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Avni Morina i cili po akuzohet se ka kryer veprës penale Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në fillim të shqyrtimit, kryetari i trupi gjykues Ilir Rashkaj ka sqaruar mosprezencën e dy dëshmitarëve të cilët janë ftuar në mënyrë të rregullt, ku sa i përket dëshmitares Mirlinda Gashi e njëjta është shpërngulur në Gjermani ku kjo është vërtetuar nga posta, ndërsa sa i përket dëshmitarit Refki Kryeziu, i njëjti gjindet jashtë vendit ku këtë e kanë konfirmuar edhe policia.
Kështu që është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit prezent Vahdet Kollari i cili ndër të tjera ka deklaruar se, në shkollën profesionale ‘’IIAP Sejedin Mullabazi-Mici’’ ka pas pozitën e ushtruesit të detyrës drejtor prej vitit 2019 deri me në korrik të vitit 2021. Gjatë kësaj periudhe i njëti ka pohuar se e dëmtuara/dëshmitarja Xh.H ka punuar në këtë shkollë si mësimdhënëse dhe ka qenë profesoreshë e lëndës edukatë fizike, nga periudha kohore e muaji tetor ose nëntor dhe se ka punuar deri në fund të muajit qershor 2021, kur ka përfunduar viti shkollor. Sipas tij, e dëmtuara punën e ka filluar pas vendimit të Qeverisë për t’u angazhuar mësimdhënësit –staf mbështetës për vitin shkollor 2020/2021 për t’u angazhuar sepse personat të cilët i kanë pas më shumë se 60 vjet, i është dhënë e drejta që të njëjtit të lirohen për shkak të pandemisë Covid-19. Pra e njëjta ka pas kontratë për atë periudhë kohore dhe sipas tij kontrata ka qenë në periudhë prej 3 muaj, ku kjo kontratë është deponuar në dosjen e mësimdhënëses ku mbahen në zyren e drejtorit.
Dëshmitari gjatë deklarimit të tij ka shtuar se, e dëmtuara Xh.H ka punuar me orar të plotë dhe se i ka zëvendësuar orët e mësimdhënësit Refki Kryeziu, pasi që i njëjti kishte probleme shëndetësore. Tutje ka thënë se nuk ka pranuar nga DKA-ja ndonjë vazhdim të kësaj kontrate.
Gjatë pyetjeve të prokurores Ardita Beqiraj, se a e keni parë ju si UD i shkollës një deklaratë/marrëveshje që është lidhur në mes të dëmtuarës Xh.H dhe profesorit R.K e që kjo marrëveshje është e vulosur nga drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit lidhur me zëvendësimin e orëve, dëshmitari ka deklaruar se nuk e ka ditur asnjë gjë për këtë marrëveshje deri në momentin që është informuar nga rrjeti social facebook, dhe se nuk e ka ditur se nga kush dhe si është bërë ajo kontratë. Gjithashtu në fund ka shtuar se, nuk ka qenë në dijeni se e dëmtuara Xh.H nuk ka pas kontratë pune në periudhën janar-qershor dhe se është informuar për këtë fakt përmes rrjetit social facebook pas muajit qershor 2021 dhe se kontratën për pozitën e UD-së i shkollës i është ndërprerë nga DKA-ja me 12 korrik 2021. Dhe në fund të deklarimit të tij dëshmitari tha se mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.
Seanca e radhës është caktuar me datë 01.02.2024.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur me datë 28.03.2023, me të cilën akuzohet Avni Morina, i cili në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Rahovecit përdor autorizimin e tij në mënyrë të kundërligjshme nga janari deri në qershor të vitit 2021, duke i shkelur seriozisht të drejtat dhe duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xh.H dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që, i njëjti në zyren e tij i mundëson profesorit R.K dhe të dëmtuarës Xh.H të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët ku të njëjtën e e vërteton me vulën zyrtare, ku R.K përfiton që të marr pagën e plotë mujore pa dal fare në punë, ndërsa gjatë kësaj periudhe e dëmtuara sipas marrëveshjes së lartcekur e zëvendëson profesorin R.K pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, dhe pa ndonjë kontratë pune mban 26 orë mësimore, ku në muajin janar dhe shkurt nuk paguhet fare, ndërsa nga muaji mars e deri në muajin qershor, e dëmtuara paguhet në mënyrë private nga veq profesori R.K në shumë prej 250€,
Me çka ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga nenin 414 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi