Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Eroll Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar lidhur me substanca narkotike.
Për shkak të ndërrimi të njërit nga anëtarët e trupit gjykues, përkatësisht gjyqtarja Suzana Cerkini është zëvendësuar me gjyqtarin Kujtim Krasniqi, gjyqtari i rastit Vesel Ismaili theksoi se fillon rishtazi shqyrtimi gjyqësor dhe me pajtimin e palëve në procedurë u konstatuan të lexuara veprimet procedurale paraprake.
Në vazhdim të seancës u administrua njëra nga provat e përfshira në aktakuzë, përkatësisht videoincizimi i marrë nga telefoni celular i të akuzuarit Fethi Uygur dhe që sipas prokurorit special Burim Çerkini, aty paraqitet kultimi i kanabisit në laboratorin brenda mullirit ‘Voci’.
Përveç kësaj lidhur me provat, përkatësisht CD-të, mbrojtësi i të akuzuarit Milazim Voci, avokati Leotrim Himaj deklaroi se në bazë të procesverbalit të fundit rezulton se nuk janë hapur CD me numër 8, 10 dhe 12, ku i njëjti propozoj që të hapen, gjegjësisht të dëgjohen përgjimet e të pandehurve dhe poashtu të shiqohet ekzaminimi i telefonave.
Propozimin e mbrojtësit Himaj, e kundërshtoi prokurori Çerkini me arsyetimin se të njëjtat tashmë janë administruar, duke përfshir dhe CD 12 e cila u administrua sot, ndërsa lidhur me CD numër 8 deklaroi se është administruar në seancën e kaluar, ndërsa CD 10 është e zbrazët për shkak të mungesës së komunikimit mes të akuzuarve përgjatë përgjimeve të realizuara në atë periudhë.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 12 janar 2024, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohen Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Dacic dhe Milazim Voci, se që nga koha e papërcaktuar e deri me dt. 16.02.2022, ne vazhdimësi, te pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role te përcaktuara, nën udhëheqjen e te pandehurit Fethi Uygur, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror te kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, aktivisht marrin pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale të grupit, në atë mënyrë që pa leje dhe pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, brenda objektit – Mulliri “Voci I”, në fshatin Shirokë, komuna Suharekë, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit te cekur, ashtu që me datën 16 shkurt 2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në këtë objekt është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet e tjera për kultivimin e bimës narkotike, dhe atë saksi – vazo ku ishin të mbjella 2059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, e të cilën substancë të dyshuar narkotike e kanë poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes dhe e kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, me ç’ rast të pandehurit edhe janë arrestuar në vendin e ngjarjes.
Të njëjtit, me veprimet e lartëcekura, sipas Prokurorisë Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 par 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve te kanabisit”, nga neni 272, paragrafi 1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti