Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është dhënë fjala përfundimtare ndaj të akuzuarve Dalip Brahimi, Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi, Lulzim Berisha dhe Rrahim Brahimi, të akuzuar për shkak të veprave penale: Fajde, Krim i organizuar dhe detyrimi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi po akuzohen se nga data e pavërtetuar e deri më 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, kishin përfituar nga gjendja financiare e vështirë e të dëmtuarve B.Zh, S.B dhe B.B duke i dhënë para me fajde. Ndërsa, Lulzim Berisha akuzohet për ndihmën që i ka dhënë të akuzuarit Gërbeshi për të siguruar detyrimet financiare të dëmtuarit A.F.
Kurse, Rrahim Brahimi, akuzohet se kishte ndihmuar babanë e tij Dalip Brahimi, që të njëjtit ti sjellë dobi pasurore.
Seanca vazhdon me paraqitjen e fjalës përfundimtare.
Prokurori Special Naim Abazi elaboron fjalën përfundimtare: Pas administrimit të provave ka rezultuar të jetë një gjendje tjetër për të pandehurit, për dy të pandehurit prokurori njofton se nuk ekziston lidhja faktike që të akuzohen për veprën penale fajde pra, për të pandehurit Rrahim Brahimi dhe Lulzim Berisha lirohen nga kjo pjesë e akuzës. Prokurori thekson ndër të tjera edhe provat të cilat i ka paraqitur para këtij trupi Gjykues dhe për të njejtat kërkon nga Gjykata që ti vlersojë dhe të ju falë besimin. Kërkoj nga ky trup gjykues që për personat e akuzuar të shqiptohet dënim sipas Kodit Penal.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar Eset Berisha elaboron shkurtimishtë fjalën përfundimtare, ndër të tjera thekson së gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor janë vërtetuar veprat penale të të pandehurve dhe dëmtimi i palëve që unë i përfaqësoj. Provat e elaboruara gjatë këtij shqyrtimi vërtetojnë veprimet inkriminuese të të pandehurve. Nga ky trup gjykues kërkojë vetëm drejtësi dhe pala e dëmtuar të kompensohet në raport me dëmtimin e shkaktuar dhe i njejti thekson se brenda fjalës përfundimtare është edhe kërkesa pasurore juridike për palët e dëmtuara.
Avokat Visar Vehapi mbrojtës i të akuzuarit Dalip Brahimi, vazhdon me elaborimin e fjalës përfundimtare: Aktakuza ndaj të mbrojturit tim ndahet në dy pjesë e të cilat nuk përputhen ndërmjet veti. Me dëshmin e të demtuarit Skender Blakqori vërtetohet se pala ime nuk ka kryer veper penale pasi banesa ishte e shitur praprakishtë. Pra, kam besim nga ky trup gjykues që i mbrojturi im Dalip Brahimi do të lirohet nga akuza.
Avokat Flakron Sylejmani mbrojtës i të akuzuarit Bujar Gerbeshi, vazhdon me elaborimin e fjalës së tij përfundimtare, tutje ai thekson se Prokuroria nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë provë me të cilën e vëreteton që i mbrojturi im ka kryer vepër penale, të gjitha këto janë cështje të cilat kanë mbetur të pa provuara. Gjdo provë e evidentuar dhe e elaboruar në këtë proces nuk vërteton veprimet inkriminuese të të mbrojturit tim. Kërkojmë nga ky trup Gjykues, që për të mbrojturin tim të marrë aktgjykim lirues.
Shpallja e aktgjykimi do të bëhet me datë: 19 dhjetor nga ora 13:15.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 maj 2019, të akuzuarit Dalip Brahimi, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, nga data e pavërtetuar e deri më 20 dhjetor 2018 në Prishtinë, kishin përfituar nga gjendja financiare e vështirë e të dëmtuarve B.Zh, S.B dhe B.B duke i dhënë para me fajde.
Në aktakuzë theksohet se i dëmtuari B.ZH ka marrë para prej të akuzuarit Dalip Brahimi në periudhën nga gusht 2008 deri në shkurt dhe korrik 2010, në shumën prej 165 mijë e 914 euro dhe i kishte kthyer ato nëpërmjet transaksioneve bankare në shumën 599 mijë euro. Për pjesën tjetër të parave, i akuzuari Dalip Brahimi ia kishte marrë të dëmtuarve B.M dhe I.Zh në formë të një lokale me çmim 167 mijë euro, tre banesa në vlerë prej 146 mijë e 805 euro, dhe një makinë “Mercedes”, vlera e të cilave tejkalon një milion euro. Për të mbuluar këtë diferencë, Dalip Brahimi dhe i dëmtuari B.M ishin pajtuar që të shesnin një parcelë në shumën e 1,001,200.00 euro, edhe pse parcela ishte blerë për 100 mijë euro.
Në këtë rast, thuhet se të akuzuarit kishin dhënë para me përqindje prej 5-15% edhe të dëmtuarit S.B, dhe më pas, për të ndaluar kthimin e kamatës, i akuzuari Dalip Brahimi kishte detyruar S.B të nënshkruante një kontratë për shitblerjen e një banese në lagjen “Dardania” në Prishtinë, që kishte vlerën e të njëjtës shumë që S.B kishte marrë nga shitja e banesës, duke i shtuar edhe “borxhet.”
Tutje, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2010, i dëmtuari J.B kishte kontaktuar me vëllanë e tij S.B, i cili kishte thënë se i akuzuari Bujar Gërbeshi do ti sjellë 15 mijë euro me qëllim të pagesës së doganës për qeramikat që i kishin importuar dhe me të arritur i akuzuari Bujar Gërbeshi tek i dëmtuari J.B, i kishte thënë se 8 mijë e 100 euro do ti ndalë në emër të kamatër së borxhit të vëllait të tij, kurse 6 mijë e 900 euro mund t’i marrë.
Për këto veprime, të akuzuarit akuzohen për veprën penale “Fajde” dhe “Krim i organizuar.”
Përveç kësaj, i akuzuari Dalip Brahimi akuzohet edhe për goditjen e të dëmtuarit S.B më 6 shtator 2015 në Prishtinë, me qëllim që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i dëmtuari Blakqori kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Brahimi për të kërkuar lirimin e banesës, dhe kishte qëlluar të dëmtuarin me fjalë.
Për këto veprime, të akuzuarit Lulzim Berisha dhe Rrahim Brahimi, po akuzohen lidhur me veprën penale: Fajde nga neni 343 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./Drejtësia sot
Monitoruar nga: Arton Hoxha