Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca e radhës në rastin ku ish-Ministri Pal Lekaj si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës Esat Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, po akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë të akuzuarit Pal Lekaj, Esat Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.
Seanca vazhdon, me pyetjet e Prokurorit Special Atdhe Demaj për të pandehurin Pal Lekaj.
Në pyetjen e Prokurorit Demaj rreth deklaratës së dhënë në Prokurori se a qëndron pranë saj i njejti përgjigjet se po qëndroj në tërsi pranë deklaratës. Ndërsa, në pyetjen se kur jeni njoftuar lidhur me këtë projekt, i njejti përgjigjet, sa i përket njoftimit lidhur me projektin jam quditur që nga ushtruesi i detyrës nuk më është sqaruar fare sa i përket problemit të projektit në fjalë, ngecjeve, mospagesave dhe realizimi i këtij projekti në kohë të caktuar, pas disa ditëve jam njoftuar për të gjitha pengesat.
Në pyetjen e Prokurorit Demaj se kur e keni kuptuar për pagesen 14 milion, porpozim i Hill Internacional dhe cili ishte veprimi juaj, i akuzuari Lekaj përgjigjet se kërkesën për shtyrjen e afatit e kemi kuptuar dhe trajtuar në Komitetin Ndërministror dhe është diskutuar vetëm zgjatja e afatit dhe i kam njoftuar edhe për pagesat e tjera, unë kam qenë i njoftuar vetëm për zgjatje të afatit dhe jo për problemet tjera që kanë ardhur pastaj.
Seanca vazhdon me paraqitjen e mbrojtjes nga i akuzuari Nebih Shatri, në pyetjen e mbrojtësit të tij Florent Latifaj se a keni nënshkruar ndonjë marrëveshje për vazhdimin e afatit te punimeve, i njejti përgjigjet se po, dhe nevoja për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte sepse kishte mungesë në implementimin e buxhetit lidhur me këtë kontratë.
Ndërsa, në pyetjen se nga kush është kërkuar që të nënshkruhet kjo kontratë, i akuzuari përgjigjet se, mbikqyrësi i punimeve Rame Qupeva na ka njoftuar se ka mungesë të buxhetit dhe se Bechtel Enka nuk ka pasur mundësi të përfundoj punimet sipas afatit të paraparë.
Prokurori Special Atdhe Demaj vazhdon me pyetjet e tij për të pandehurin. Në pyetjen se a qëndroni pranë deklaratës së dhënë në Prokurori, i pandehuri Shatri thekson se Po në tërësi.
Ndërsa në pyetjen se në cilat raste Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, ka të drejtë të nënshkruaj kontrata, i akuzuari përgjigjet se janë dy lloje kur ka kontrata të prokurimit kur vlera është më e lartë se 500 mijë euro.
Seancat e radhës do të mbahen me datë: 09, 10 janar dhe fjala përfundimtare me datë 26 janar nga ora 09:30.
Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.
Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.
E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha