Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda është shpallur Aktgjzkim lirues ndaj të Akuzuarve Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi të cilët akuzohen për Keqpërdorim të Pozitës apo autoritetit zyrtar.
Trupi gjykues thekson ndër të tjera se nuk është vërtetuar nga provat dhe elaborimi i tyre se të njejtit kanë kryer vepren penale për të cilën janë akuzuar dhe të njejtit i liron nga akuza.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, të ngritur më 3 maj 2017, Naim Shasivari, akuzohet se deri më 7 dhjetor 2016, si person zyrtar në Arkivin Komunal të Prishtinës, në pozitën e shefit të sektorit të depos, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, ku gjatë pranimit nuk ka kontrolluar lëndët arkivore në dosjet e lëndëve, të cilat kanë qenë në depon e këtij arkivi, ashtu që kishte pranuar dokumentin e falsifikuar “Marrëveshja e Arondimit”, e 24 janarit 1964, pa u përfillur procedurat, pa procesverbal për pranimin e lëndëve në depo të këtij arkivi.
Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Shasivari, si shef i depos, një kopje të kësaj marrëveshje ia ka dorëzuar palës, tani të ndjerit M.J., i cili me këtë dokument të falsifikuar ka bërë bartjen e kësaj prone në emër të tij, e që në fakt këto ngastra janë pronë e ndërmarrjes bujqësore “Ratar” të Llapllasellës.
Ndërsa, Nexhmije Krasniqi, sipas aktakuzës, akuzohet se në pozitën e ndihmës-arkivistes si dhe duke ushtruar pozitën e shefit të depos, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që më 9 janar 2015, në kërkesën e Zyrës Katastrale të Komunës së Prishtinës për verifikimin e vendimit të lëshuar nga KK-Prishtinë nr.44/63, të 24 janarit 1964, e kishte kthyer përgjigjen me shkrim se lënda me numër 44/63 nuk gjendet në dosjen e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës edhe pse pas kontrollit nga ana e Policisë, më vonë është gjetur dhe sekuestruar lënda origjinale.
Sipas aktakuzës, Krasniqi më 29 shtator 2014, të njëjtin dokument, “Marrëveshjen e Arondimit”, nr. 44/63, ia kishte gjetur dhe ofruar palës Stojaniviq Vanka, ashtu që mbi këtë bazë ka mundësuar që të bëhet bartja e ngastrave të lartcekura në emër të tani të ndjerit, M.J.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha