|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është dhënë fjala hyrëse ndaj të akuzuarve për Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar

Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë u mbajt seanca ndaj pesë të akuzuarve Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajrizi dhe Nazmi Musliu, për Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe Tefik Hargaja, për veprën penale Mashtrimi.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni konstatoi se në seancën e sotme prezent ishin të akuzuarit, mbrojtësit e tyre, përfaqësuesja e të dëmtuarës dhe prokurori Zef Prendrecaj.

Fillimisht, në këtë seancë, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Pastaj seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve në procedurë.

Prokurori Prendrecaj në fjalën hyrëse, ndër të tjera, deklaroi se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet që në veprime të të akuzuarve manifestohen të gjitha elementet esenciale të veprave penale me të cilën ngarkohen si në aktakuzë,

Tutje, mbrojtësi i të pandehurit Gashi, avokat Labinot Vata në fjalën hyrëse e ka kundërshtuar në tërësi aktakuzën duke konsideruar se në fund të këtij shqyrtimit do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Poashtu edhe mbrojtësi i të pandehurit Reqica, avokat Granit Curri, në fjalën hyrëse, kundërshtoi në tërësi aktin akuzues, duke theksuar se pas administrimit të të gjitha provave, do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit.

Mbrojtësi i të pandehurit Gashi, avokat Gëzim Berisha, në fjalën hyrëse deklaroi se në veprimet e pershkruar në aktakuzë janë të paqëndrusehsme dhe se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.

Qëndrime të njejta kishin edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, ku të njëjtit deklaruan se mbesin prapa fjalëve hyrëse të dorëzuara në seancat e kaluara duke kundërshtuar aktin akuzues.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për datën 10 janar.

Aktakuza e ushtruar në gjykatë në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën, Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare  në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KË nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e regulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KË nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajrzi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë  me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja thuhet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter