Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykim fajësues në rastin ku Fehmi Raçi, në cilësinë e pronarit të kompanisë “Euro Comerc” po akuzohet për mashtrim në prokurim publik, në tenderin e shpallur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Fehmi Raçi, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, sipas aktgjykimit të shpallur u dënua me burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale në kohë të verifikimit prej dy viteve.
Njëkohësisht, i njëjti u dënua edhe me dënim me gjobë prej 1 mijë euro, si dhe dënim plotësues ndalim në marrjen pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurimin publik.
Kujtojmë se në seancën e kaluar të datës 22 dhjetor 2023, i akuzuari Raçi kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2022, thuhet se i akuzuari Fehmi Raçi, pronar i kompanisë “Euro Comerc”, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertave për dhënien e kontratës së shpallur më 12 mars 2021 nga autoriteti kontraktues Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me titull “Furnizim me gypa rrethor dhe katror të çelikut”, duke paraqitur dokumentin e falsifikuar, certifikatën e standardeve ISO Standard e 8 shtatorit 2019, e lëshuar nga TUV Italia.
Tutje, sipas aktakuzës thuhet se autoriteti kontraktues KEK, përmes njoftimit mbi vendimin e 12 marsit 2021, e ka shpërblyer operatorin ekonomik “Euro Comerc” me kontratë, mirëpo pas ankesave të parashtruara nga ana e operatorëve tjerë që kanë ofertuar, lënda është kthyer në rivlerësim, e cila pas rivlerësimit është konstatuar se certifikata e lartcekur ka qenë e falsifikuar.
Andaj, me këtë i akuzuari Raçi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti