Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Dukagjin Emerllahu, ku i njëjti akuzohet për veprën penale Ushtrim i ndikimit.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni në fillim të seancës, ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurores së shtetit Arbresha Shala, i pandehuri Dukagjin Emerllahu, mbrojtësi i tij, avokat Fitim Maloku dhe avokate Lumnije Zhitia, si dhe dëshmitari F.K.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.K., i cili gjatë dëshmisë së tij, ndër të tjera ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë premtim nga i akuzuari Emerllahu.
Tutje, pas leximit të provave, seanca ka vazhduar me marrje në pyetje të të pandehurit Emerllahu.
I pandehuri Emerllahu, ndër të tjera, ka deklaruar se pas rasteve të kanosjeve ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, është takuar me zyrtarët policorë duke kërkuar nga të njëjtit t’i identifikojnë ata persona, duke shtuar se ja ka jep numrin e tij të telefonit dhe të bashkëshortës së tij me qëllim të identifikimit të personave që e kishin thirrur.
Në fund të seancës është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë.
Prokurorja Shala, në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se bazuar nga shqyrtimi gjyqësor dhe nga shkresat e lëndës, konsiderojmë se për veprimet e të pandehurit Dukagjin Emerllahu, është konsumuar vepra penale ushtrimi i ndikimit.
Tutje, prokurorja Shala i ka propozuar gjykatës që të pandehurin t’a shpall fajtor si dhe me rastin e matjes së dënimit, të i marr parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Në anën tjetër, mbrojtja, respektivisht avokati Maloku, në fjalën përfundimtare, ndër të tjera, ka deklaruar se nuk ka asnjë provë përmes të cilës do të mund të vërtetohej fajësia e të mbrojturit të tij për veprën penale ushtrimi i ndikimit.
Tutje, i njëjti i ka propozuar gjykatës që të mbrojturin e tij, t’a liroj nga akuza për veprën penale ushtrim i ndikimit.
Në kuptim të rrethanave të lartcekura, gjyqtari Arrni ka konstatuar përfundimin e këtij shqyrtimit gjyqësor, duke theksuar se shpallja e vendimit do të bëhet me datën 29 dhjetor, 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së prokurorisë, Emerllahu në janar të viti 2014, ishte takuar me dy zyrtarë policorë, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku ishte prezantuar si biznesmen.
Sipas aktakuzës, nga të njëjtit, kishte kërkuar që numrin e telefonit të bashkëshortes së tij, ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je. E të gjitha këto favore i kishte kërkuar, duke u premtuar policëve, punësim për familjarët e tyre.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani