Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku deputeti Xhavit Haliti po akuzohet për sulm ndaj deputetit Arben Gashi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Fillimisht, gjyqtari Driton Berisha ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurorit Besnik Jakupi, të pandehurit Xhavit Haliti me mbrojtësin e tij avokat Kujtim Kërveshi, si dhe të dëmtuarit Arben Gashi me mbrojtësin e tij avokat Ahmet Tahiri.
Avokati Kërveshi ka deklaruar se nuk është pajisur me shkresa të lëndës, edhe përkundër kërkesës që e ka paraqitur.
Tutje, i njëjti ka shtuar se e ka të pamundur të ofroj mbrojtjen për të mbrojturin e tij dhe ka kërkuar që seanca e sotme të ndërpritet.
Në kuptim të kësaj, seanca e sotme është ndërprerë, ashtu që e njëjta është caktuar me datën 4 janar
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur me 31 maj 2019, i akuzuari Xhavit Haliti akuzohet se me datë 18 maj 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me dashje, e ka sulmuar deputetin, tani të dëmtuarin Arben Gashi, duke e shtyrë me krah dhe bërryl në gjoks.
Me këtë sipas aktakuzës, Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Sulmi’ nga neni 187 par. 1 te KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Gentrit Kuqani