|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Jakup Tërnava, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës  dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për Keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë seancë janë administruar disa prej provave materialeve, përveç kësaj prokurori Bekim Kodraliu propozoi si provë të re aktvendimin e datës 19 qershor 2008 me të cilin i është aprovuar kërkesa S. K, B.K dhe Z.K në lidhje me bartjen në emër të tyre të parcelës që gjendet në Fushë Kosovë, propozim të cilin e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Jakup Tërrnava.

Sipas mbrojtësit të të dëmtuarit Nazmi Kutllovci, avokatit Ali Ajeti, të dëmtuarit janë bërë pronar dhe kanë fituar pronësinë në vitin 2008 dhe janë bërë pronar të ligjshëm në bazë të kontratës së shitblerjes së vitit 1965 dhe në bazë të kësaj kontrate është aprovuar kërkesa e familjs Kutllovci.

Në vazhdim të seancës mbrojtësi i të akuzuarit Jakup Tërrnava, Zafir Kryeziu njoftoj se kishte dorëzuar kallëzim penal kundër gjyqtarit Bujar Dobërdolani për faktin se në mënyrë kundërligjore i kishte pranuar të dëmtuarit si ndërhyrës kryesor në procedurën kontestimore të zhvilluar në mes të blerësve real, familjes Kadriu nga Presheva dhe familjes Drashkoviq, i cili pastaj kishte sjellur aktgjykim në favor të blerësve real dhe në dëm këtu të të dëmtuarve, sipas mbrojtësit Kryeziu.

Po ashtu, si provë u administrua edhe aktgjykimi i marrë në procedurë civile, ku nuk iu ishte njohur e drejta e të dëmtuarve, ujdinë gjyqësore të lidhur midis Drashkoviq dhe familjes Kadriu, pagesat për tatim në pronë të asaj toke dhe të rrymës elektrike, që nuk janë bërë nga të dëmtuarit.

Gjithashtu, në fund të seancës u administrua si provë materiale kontrata dhe pushimi i lehonisë, përmes të cilit dëshmohet se e akuzuara Mustafa-Sadiku, në kohë e kryerjes së veprimeve që pretendohet si në aktakuzë ishte në pushim të lehonisë.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet me date 09 shkurt 2024, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masës të sigurisë.

Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij , duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.

Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku po ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter