Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda është mbajtur seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor ndaj katër ish-zyrtarëve të komunës së Fushë Kosovës, Jakup Tërnava, Liridona Mustafa- Sadiku, Ejup Gërguri dhe Fehmi Mustafa, të gjithë ish-zyrtarë të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, të cilët akuzohen për korrupsion, si dhe Bekim Sabedini i akuzuar për “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Në seancën e sotme dëshmoi dëshmitari A.B, i cili në pyetjet e prokurores së çështjes Shenaj Berisha, deklaroi lidhur me shkresën nga Drejtoria për Kadastër e Komunës së Fushë Kosovës, për regjistrimin apo kthimin e pronës në emër të B.V, si dhe revokimin e aktvendimit në favor të parashtruesit dhe kthimin në emër të KBI ‘Kosova Export’, respektivisht KB ‘Bujqësia’.
Dëshmitari lidhur me ngastrën në fjalë deklaroi se më vonë zyra rajonale e Prishtinës e ka propozuar për shitje, e cila është tenderuar, por pastaj është tërhequr shkaku i masës së sigurisë.
Ndërsa në marrjen në pyetje nga mbrojtësi Fanol Krasniqi, lidhur me njohuritë mbi ngastrën e cila është objekt i akuzës, dëshmitari deklaroi se ka njohuri dhe se lëndën nuk e ka parë, por informatat relevante i ka marrë pasi në disa shkresa është përgjigjur personalisht, ndërsa lënda është vlerësuar nga përfaqësuesi Naser Krasniqi.
Në vazhdim të seancës, dëshmitari në pyetjet e të akuzuarës Liridona Mustafa- Sadiku lidhur me çertifikatat e pronësisë dhe lëshimin me qera të pronave shoqërore, deklaroi se tokë e cila është objekt i akuzës është lëshuar me qera në bazë të një çertifikate të mëhershme, ndërsa ka raste kur pronat shoqërore lëshohen me qera dhe pa çertifikata, në rast të lokaleve, objekteve afariste etj.
Me kërkesë të mbrojtësit Valdrin Behrami, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa seanca e radhës për këtë çështje penale nga kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti, u caktua për datën 12 shkurt 2024, nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jakup Tërnava, drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës, së bashku me Liridona Mustafa-Sadikun, Ejup Gërgurin dhe Fehmi Mustafën, po akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo të autoritetit zyrtar”, kurse i akuzuari Bekim Sabedini po akuzohet për “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës./DrejtësiaSot
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti