|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, dhe zyrtarëve Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe Flora Doda.

Në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi konstatoi prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurores Arbresha Shala, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre.

Tutje, gjyqtari Ajvazi theksoi se mungon i pandehuri Ardian Krasniqi, për të cilin janë njoftuar nga policia se gjendet jashtë vendit, andaj në kuptim të kësaj nuk ka mundur të realizohet urdhëresa për sjellje me detyrim.

Në rrethana të tilla, prokurorja Shala ka propozuar veçimin e procedurës ndaj të njëjtit, ku me propozimin e tillë është pajtuar edhe mbrojtja.

Në koherencë të kësaj, gjyqtari Ajvazi mori aktvendim për veçimin e procedurës, ashtu që seanca ka vazhduar me të akuzuarit e tjerë

Fillimisht, palët në procedurë kanë mbetur pranë fjalës hyrëse të dhënë në seancat e mëhershme.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit B.M, i cili ka theksuar se mbetet pranë deklarimeve të mëhershme.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, prokurorja Shala i ka propozuar gjykatës caktimin e një eksperti që të jep rekomandime lidhur me zhvillimin e procedurave të prokurimit.

Në anën tjetër, mbrojtja e ka kundërshtuar një propozim të tillë duke e konsideruar si të panevojshëm.

Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorës për caktimin e ekspertit nga fusha e prokurimit, si dhe ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare dhe udhëzimeve të Gjykatës së Apelit,  do t’i ftoj edhe dëshmitarët F.A dhe A.G

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar me datën 16 janar.

Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 13 gusht 2021, në dispozitivin e parë, ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, së bashku me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, akuzohet se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Në dispozitivin e dytë të aktit akuzues, Marigona Berisha, dhe në dispozitivin pasues, Ardian Krasniqi, akuzohen se veç e veç e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Tutje, në pikën katër të aktakuzës, Prokuroria pretendon se nga veprimet e tyre, Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Lavdim Krasniqi gjithashtu akuzohet se në bashkëkryerje me Flora Dodën, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas veprimeve inkriminuese të përcaktuara në dispozitivin nr.5.

Ish-Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, në këtë aktakuzë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë akuzohet edhe për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Në dispozitivin e fundit të aktit akuzues, Marigonë Berisha akuzohet edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter