Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Fitim Veliqi, i cili po akuzohet për keqpërdorimi të detyrës.
Fillmisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ngadhnjim Arrni ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurores Arbresha Shala, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, i akuzuari Fitim Veliqi, mbrojtësja e tij, avokate Zahide Gjonaj si dhe dëshmitari H.Ll
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Shala, i akuzuari Veliqi është deklaruar i pafajshëm lidhur me veprën penale për të cilën akuzohet.
Tutje, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.
Prokurorja Shala, ka deklaruar se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në seancën e mëparshme.
Mbrojtja, në fjalën hyrëse, ndër të tjera ka kundërshtuar aktin akuzues duke konsideruar se i njëjti nuk mbështetet në asnjë provë bindëse.
Seanca tutje ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit H.Ll.
Dëshmitari H.Ll, në dëshminë e tij, ndër të tjera ka deklaruar se kërkesat për rrënimin e objekteve që i ka pranuar, kanë qenë përmes telefonatave, qoftë nga inspektorët apo nga drejtori.
Tutje, dëshmitari ka theksuar se qëndron prapa deklaratës së dhënë në seancat e mëparshme.
Poashtu, i akuzuari Veliqi ka propozuar që të dëgjohen tre dëshmitarë, duke konsideruar se të njëjtit do të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës.
Në koherencë të kësaj, gjykata ka aprovuar propozimin për dëgjimin e dy dëshmitarëve kështu që seanca e sotme është ndërprerë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitorues Gentrit Kuqani