Sot në Gjykatën Themelore Prishtinë u mbajt seanca ndaj pesë të akuzuarve Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajrizi dhe Nazmi Musliu, për Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe Tefik Hargaja, për veprën penale Mashtrimi
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni konstatoi se në seancën e sotme prezent ishin të akuzuarit, mbrojtësit e tyre, përfaqësuesja e të dëmtuarës dhe prokurori Halim Borovci.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitarëve.
Dëshmitari H.G, ndër të tjera ka deklaruar se aprovimi i kërkesës për blerjen e reduktorëve është bërë për dy arsye, ku njëra ka qenë për unifikimin e pajisjeve dhe tjetra që të ketë rezerva.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të radhës.
Dëshmitari H.B, ndër të tjera ka deklaruar se në vitin 2014 dhe në vitin 2016, kanë pranuar githsejtë 8 reduktorë 14 kW.
I njëjti ka shtuar se në bazë të dokumentacionit, tre reduktorë 14 kW janë marr nga depo dhe janë hyrë ne punë.
Pas përfundimit të dëshmisë, mbrojtja, respektivisht avokati Armend Krasniqi, ka propozuar një ekspertizë nga lëmia e makinerisë, në mënyrë që të vlerësohet qëllimi se për çka janë porositur reduktorët.
Në koherencë të kësaj, gjykata ka refuzuar propozimin e mbrojtjes me arsyetimin se një ekspertizë e tillë nuk ka lidhje me aktin akuzues dhe vetëm se do të prolongohej procedura penale.
Lidhur me marrjen ne pyetje të të pandehurve, gjyqtari Arrni ka caktuar seancën e radhës me datën 26 janar.
Aktakuza e ushtruar në gjykatë në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën, Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KË nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.
Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Tutje, sipas aktit akuzues, me datë kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e regulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KË nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.
Me këtë, Hajrzi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Ndërsa, Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.
Me këtë, i pandehuri Hargaja thuhet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani