|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e Keqpërdorimeve me kartela bankare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim  Dobruna e Edon Bajrami që nga fillimi i vitit 2005 me qëllim të arritjes së përfitimeve të drejtpërdrejta të dobisë pasurore, akuzohen nga Prokuroria Speciale se  kanë formuar grupin formular, grupin kriminal të organizuar që do të merrej me aktivitete kriminale e që do të bashkëvepronte me hakerët e panjohur deri më tani të sistemeve kompjuterike bankare të shteteve të ndryshme.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Zijadin Isaku, ndërsa dëshmitari tjetër Visar Pacolli i cili ishte i planifikuar të dëgjohej sot, mungoi në seancë dhe i njëjti ka njoftuar gjykatën përmes shkresës se nuk ka njohuri lidhur me rastin në fjalë.

Në dëgjimin e dëshmitari Isaku, i njëjti në pyetjet e prokurores Merita Bina-Rugova deklaroi se në lidhje me çështjen në fjalë në atë kohë ka qenë hetues policor dhe pjesërisht ka marrë pjesë në hetime.

Në vazhdim të seancës, dëshmitari Isaku u deklarua mbi dyshimin e ngritur lidhur me kryerjen e veprave penale në kohën e fillimit të hetimeve në Policinë e Kosovës, e për të cilat akuzohen të akuzuarit tashmë, njëkohësisht paraqiti përmes një prezantimi procedurën e zhvillimit të hetimeve dhe masat e marra në atë kohë.

Kujtojmë se dëgjimi i dëshmitarit Isaku dhe Pacolli ishin kundërshtuar në seancën e kaluar nga mbrojtja me arsyetimin se nuk janë të ballafaquar asnjëherë me këtë rast dhe se me vetë deklarimin e përfaqësuesve të bankave Procredit dhe Raiffiesen se nuk e ndiejnë vetën si palë të dëmtuara, ky rast duhet të merrë epilog krejtësisht tjetër, pasi që kur nuk ka subjekte të dëmtuara, nuk mund të ketë as krim të organizuar.

Seanca e radhës e këtij shqyrtimit gjyqësor u caktua me datë 14 shkurt 2024, nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebeza, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, e në bashkëkryerje edhe me dy të akuzuar në arrati Qëndrim  Dobruna e Edon Bajrami me veprime kriminale të hyrjes në sistemet kompjuterike bankare, falsifikimit të kartelave bankare dhe tërheqjes së shumave të ndryshme të parave  në emër të personave të dëmtuar përmes agjensionit financiar “Ëestern Union” që operon në Kosovë, kanë përfituar dobi pasurore-financiare  të drejtpërdrejtë në shumën e përgjithshme prej 198,454.10 euro.

Me këtë, sipas aktakuzës të akuzuarit e lartcekur po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar”, nga neni 274 par 1, lidhur me 23 të KPPK-së lidhur me veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 264 par 2 të KPPK-së, “Lëshimi i ceceve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kredit”, nga neni 248 par 3 të KPKK-së dhe “Pastrimi i parave”, nga neni 10.2 nën paragrafi a),b),d) dhe e) të Rregullores së ULMIK-ut nr.2004/2, Mbi pengimin e pastrimit të parave dhe veprave tjera penale.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter