|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Lexohen deklaratat e katër dëshmitarëve në gjykimin për Krim të organizuar me narkotikë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rigjykim ndaj të akuzuarve Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli.

Në mungesë të katër dëshmitarëve të rastit në seancën e sotme, A.B, F.A, F.M dhe S.B, u konsideruan të lexuara deklaratat e tyre nga trupi gjykues me propozimin e prokurores Merita Bina- Rugova, për shkak të pamundësisë së sigurimit të prezencës në procedurë së dy prej tyre dhe dy tjerëve për shkaqe shëndetësore.

Një gjë të tillë e kishte kundërshtuar paraprakisht mbrojtësi Besnik Berisha me arsyetimin se të njëjtit duhet të jenë prezent në këtë proces në mënyrë që të arrihet në plotëni procesi i të provuarit, duke kërkuar ndaj trupit gjykues shfrytëzimin edhe të instrumentit të ndihmës juridike ndërkombëtare.

I njëjti theksoi se ‘mungesa e dëshmitarëve vendor jo domosdoshmërisht është pengesa më e madhe në këtë proces, andaj për këtë çështje që ka kaluar mbi një dekadë në gjykim e rigjykim mund të vie deri te një përfundim që përmbush kushtet e ligjit, vendos drejtësi e sanon padrejtësi’, deklaroi mbrojtësi Berisha.

Ndërsa, sa i përket dëgjimit të dëshmitarit Naser Bllaca, gjyqtari Mentor Bajraktari tha se i njëjti do të ftohet me ftesë të rregullt, kurse për dëshmitarët Kristian Dolfhuber dhe Tomas Atler, gjykata do të bëjë përpjeke që të sigurohen përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Ndërsa seanca e planifikuar edhe për nesër u anulua nga gjyqtari Bajraktari, duke caktuar dy seanca tjera në datat 3 dhe 4 prill 2024, nga ora 09:30.

Kujtojmë se në këtë rast kanë qenë dy aktgjykime të shpallura, të cilat janë anuluar nga Gjykata e Apelit dhe kjo është hera e tretë që po mbahet shqyrtimi gjyqësor.

Ndryshe sipas aktakuzës, të pandehurit Fatmir Musliji dhe Brahim Xhemajli, po akuzohen se duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca të cilat janë shpallur të rrezikshme, të llojit heroine.

Ashtu që i pandehuri Fatmir Musliji e ka formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm mes tyre dhe të pandehurit Brahim Xhemajli dhe Z.G, të cilin grup i pandehuri Fatmir e ka mbikëqyrë, udhëheqë dhe ka drejtuar veprimet e tyre.

Tutje në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës kohore shumëvjeçare nga burimet e panjohura rregullisht kanë blerë substanca narkotike të llojit heroin dhe për atë heroinë pastaj, i pandehuri Fatmir përmes telefonit, duke përdorur për çdo dërgesë një numër tjetër kontakti, pa autorizim e ka organizuar shitjen dhe transportimin në shtetet perëndimore, kryesisht në Gjermani, nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën më të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.

Kujtojmë se në këtë çështje penale ka qenë i akuzuar edhe Z.G, mirëpo me qenë se i njëjti ka ndërruar jetë, ka pushuar procedura penale ndaj tij.

Me këto veprime të akuzuarit po akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘Krimi i organizuar’ e parashikuar me nenin 274, par. 3 lidhur me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike’ të parashikuar nga neni 229 par. 1 nënpar.1 lidhur me par. 2 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, i pandehuri Fatmir Musliji gjithashtu po akuzohet edhe për veprën penale ‘Shpërlarja e parave’ nga neni 32 par. 1 dhe 2 nënpar. 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter