Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, përsëri ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Jashar Blakaj, Elfete Blakaj, Rexhep Blakaj, Rrustem Gashi, Isa Hoxhaj si dhe Besart Dreshaj që të gjithë zyrtar me pozita të ndryshme në Komunën e Istogut, të cilët po akuzohen për korrupsion.
‘’Drejtësia Sot’’ raporton se seanca e cila ishte e planifikuar të mbahej sot ka dështuar të mbahet pasi që mbrojtësja e të akuzuarit Jashar Blakaj av. Dafin Osmani sot me datë 18.01.2024 ka dërguar një parashtresë përmes emailit zyrtar me të cilën ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe të antarëve në këtë çështje penale ku në këtë kërkesë ka dhënë aryetimet duke theksuar se përshkak se është publike dhe është fakt notor se kryetari i trupit gjykues Murat Hulaj është avancuar dhe do të kaloj në Gjykatën Supreme, duke shtuar se për me tepër në ndryshimin e kryetarit të trupit gjykues shqyritmi me automatizëm do të filloj nga e para. Dhe ka njoftuar që nuk do të paraqitet të seancë.
E akuzuara Elfete Blakaj dhe i akuzuari Jashar Blakaj nuk ishin prezent, gjithashtu prezent nuk ishte as mbrojtësi i të akuzuarit Besart Dreshaj, av. Besnik Berisha.
Sa i përket kërkesës së av. Dafina Osmani, prokurorja e shtetit Lumturije Vuçetaj ndër të tjera ka thënë se, për këtë kërkesë është njoftuar sot në seancë dhe sipas saj është e qëllimshme për zvarritjen e çështjes penale, ku me çka një njoftim i tillë në ditën e shqyrtimit gjyqësor është joetik dhe joprofesional.
Andaj, trupi gjykues ka nxjerr këtë aktvendim me të cilin e ka shtyer seancën e shqyrtimit gjyqësor për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 07.09.2022, të akuzuarit Jashar Blakaj, Elfete Blakaj, Rexhep Blakaj, Rrustem Gashi, Isa Hoxhaj dhe Besart Dreshaj, që të gjithë zyrtarë me pozita të ndryshme në Komunën e Istogut kanë vepruar në kundërshtim me ligjin lidhur me lëshimin e disa lejeve dhe kushteve ndërtimore.
Prokuroria pretendon se të pandehurit Jashar Blakaj, Rrustem Gashi dhe Rexhep Blakaj se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
E akuzuara Elfete Blakaj në objektin e Komunës së Istogut në cilësinë e personit zyrtar, si përgjegjëse për Mjedis pranë Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis, dyshohet se operatorit ekonomik ku bashkëpronar është kunati i saj, ia lëshon dhe nënshkruan lejet mjedisore me nr. 11.nr.21/2018, 11.nr.24/2019 dhe 11.nr.13/2020 me të cilat investitorit i njihet e drejta e lejes mjedisore për ndërtim të objekteve afaristo-banesore,
Prokuroria e Pejës pretendon se në këtë rast e akuzuara Blakaj ka kryer veprën penale “Konflikti i interesit”.
Dispozitivi tjetër i aktit akuzues e ngarkon të pandehurit Isa Hoxha dhe Rrustem Gashi me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sepse në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me ligjin kanë lëshuar leje ndërtimore për subjektin ekonomik ‘’Graniti SH.P.K.’’ me pronar Ismet Loshi.
Tutje, sipas aktakuzës të pandehurit Besart Dreshaj, Rexhep Blakaj dhe Rrustem Gashi akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lëshimit të vendimeve për leje ndërtimore për një objekt afarist-banesor dhe një ndërtesë banimi.
Kurse, Rexhep Blakaj akuzohet për konflikt interesi për shkak se si person zyrtar kishte marrë pjesë në nënshkrimin kushteve dhe lejeve ndërtimore të një investitori ku në studion projektuese punojnë familjarët e tij.
Në fund, i akuzuari Rrustem Gashi akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar pasi pa autorizim nga zyrtari Besart Dreshaj kishte nënshkruar vendimet e lejeve ndërtimore për dy investitorë.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi