|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dënohen tre të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Subvencionet 3’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi janë gjetur fajtor për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohen në rigjykimin për mashtrim me subvencione dhe për dhënie ryshfeti, në rastin e njohur si ‘Subvencionet 3’.

Sipas aktgjykimit të shpallur, i akuzuari Bejtush Gashi për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘Marrje ryshfeti’ u dënua me 5 muaj burgim dhe dënim me gjobë 1 mijë euro. Poashtu me pëlqim të të akuzuarit dënimi me burgim mund ti zëvendësohet në dënim me gjobë dhe atë në shumë prej 4 mijë euro, duke i shqiptuar dënim unik prej 5 mijë euro. 

Tutje, i akuzuari Arbër Avdijaj, për veprën penale të kryer në vazhdim ‘Dhënie ryshfeti’ u dënua me 4 muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro. Ndërsa për veprën penale të kryer në vazhdim ‘Mashtrim me subvencione’ u dënua me 4 muaj burgim, duke i shqiptuar dënim unik me burgim dhe me gjobë dhe atë dënimin me burgim prej 6 muaj si dhe dënimin me gjobë prej 1 mijë euro. Në rast se i akuzuari jep pëlqimin dënimi me burgim mund ti zëvendësohet me dënim me gjobë prej 5 mijë euro.

Ndërsa i akuzuari tjetër Sadush Kabashi, për veprën penale ‘Dhënie ryshfeti’ sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj, u dënua me dënim me burgim prej 6 muaj dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro. Koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe masën e arrestit shtëpiak do ti llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim. Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim prej 3 muajve mund ti zëvendësohet në dënim me gjobë në vlerën prej 4 mijë euro, duke i llogaritur dënimin unik me gjobë prej 5 mijë euro.

Të tre të akuzuarit janë të obliguar të paguajnë secili veç e veç shpenzimet e procedurës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro, si dhe në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit në shumën prej 100 euro.

Ndërsa Avokatura Shtetërore si palë e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.

Përndryshe, sipas aktakuzës, së siguruar nga “Drejtësia Sot”, në versionin e redaktuar të saj, i pandehuri Arbër Avdijaj, akuzohet në 4 pika të aktakuzës, përkatësisht në pikën 3 për  “Dhënie ryshfeti” nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPRK-së, në pikën 4 të aktakuzës, A.A po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni  422 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPKR-s, ndërsa në pikën 5 akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim me Subvencione“ nga neni 324 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPRK-së.

Në pikën 6 të aktakuzës Avdijaj akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Mashtrim me subvencione’ në vazhdimësi, përkatësisht se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pa sakta në AZHB.

Në vazhdim, në pikën 10 të akuzës, i pandehuri Sadush Kabashi , po akuzohet se në parkingun e BPB bankë, përmes të pandehurit A.A i jep para ryshfet të pandehurit L.S si Drejtor për Pagesa Direkte në AZHB, me të cilat veprime i pandehuri Kabashi akuzohet ka kryer veprën penale “Dhënie Ryshfeti“ nga neni 422 paragrafin 3 lidhur me paragrafin 1 të KPKR-së.

Kurse, pika 13 e aktakuzës e ngarkon Bejtush Gashi se i ndihmon të pandehurit V.P në marrjen e ryshfetit nga i pandehuri H.A në mënyrën që është përshkruar në pikën e 11.

Me këtë PSRK-ja e akuzon të pandehurin Bejtush Gashi se ka kryer veprën penale  Ndihmë në veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi  1  lidhur me nenin 33 të KPKR-së. Ndërsa 6 të akuzuarit tjerë të cilët nuk kanë pranuar fajësinë në seancën e kaluar, ndër ta zyrtarë e qytetarë, akuzohen për veprat penale  “Marrje Ryshfeti”  e “Mashtrim me Subvencione“, duke përfshirë ndihmën në kryerjen e veprave të lartëcekura.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter