Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzat Musliu, si dhe të ish-drejtorit të kompanisë “Sallahu” Sh.P.K, Naim Sallahu, të akuzuar për Korrupsion.
Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitarja V.B, e cila mbante pozitën e Udhëheqëses së divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, në kohën për të cilën dyshohet kryerja e veprave penale si në aktakuzë.
Në dëgjimin e saj, në pyetjet e parashtruara nga prokurori Bashkim Zeqaj deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë në prokurori më herët.
Ndërsa lidhur me inicimin e kërkesës për futjen në listë të zezë të operatorit ‘Sallahu Sh.p.k’, dëshmitarja Bllaca theksoi se arsyeja ka qenë falsifikimi i një reference të një inxhinieri dhe se inicimi i procedurës ka qenë përgjegjësi e saj dhe jo dërgimi në OSHP-ë nga ana e të akuzuarit Begzat Musliu si auditor i brendshëm, duke tejkaluar detyrat dhe përgjegjësit e tij ligjore.
Se a kanë qenë të rëndësishme referencat e lëshuara nga kompania ‘Sallahu Sh.p.k’, dëshmitarja deklaroi se çdo kriter i përcaktuar në dosjen e tenderit është i rëndësishëm dhe në bazë të tyre mund të kualifikohet apo diskualifikohet një ofertë dhe theksoi se kompania ‘Sallahu Sh.p.k’ është eleminuar nga gara si pasojë e ofertës së papërgjegjshme.
Në vazhdim të seancës, nga i akuzuari Naim Sallahu, dëshmitares ju prezantuan dokumente lidhur me përgjigjet ndaj kërkesave të zyrës së prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës.
Seanca e radhës u caktua të mbahet për datën 27 shkurt 2024, nga ora 09:30.
Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Begzat Musliu, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, përkatësisht nenin 25 par. 3.3 miratimin nga udhëheqësi i subjektit të sektorit publik, ministri apo sekretari i përgjithshëm; ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit publik me titull” Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacion Drelaj”, ku i pandehuri ka vepruar vetëm me kerkesë të Operatorit Ekonomik ” Sallahu” Sh.P.K, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm, ka përpiluar raportin e auditimit në favor të Operatorit Ekonomik ” Sallahu” Sh.P.K, me qëllim të krijimit të dobisë për atë kompani, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk ka pasur autorizim, të cilin raport jashtë procedurave e ka dërguar përmes arkivës në OSHP, të njëjtit i ka dërguar Operatorit Ekonomik; ku i pandehuri përmes dërgimit të raportit të tij në OSHP, ka ndikuar që ky organ raportin e tij ta konsideroj si provë relevante duke theksuar se ja falë besimin këtij raporti dhe si rezultat i kësaj, kërkesa Drejtoreshës së Prokurimit është refuzuar nga OSHP, që OE “Sallahu” Sh.P.L të futet në listën e zezë të OSHP-së.
Me këtë i pandehuri Begzat Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 par. 1 i KPRK-së.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Naim Sallahu, akuzohet se me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e pronarit të kompanisë ” Sallahu” Sh.P.L, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në Aktivitetin e Prokurimit, në të cilën lëndë ka prezantuar referencën për gjeodetin F.SH, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin ” Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin” Zgjwrimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti F.SH.
Me këtë i pandehuri Naim Sallahu, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik’, nga neni 415 par. 1 të KPRK-së.
Kujtojmë se në këtë aktakuzë, i akuzuar ka qenë edhe Fadil Shehu, i akuzuar se në cilësinë e dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rremë në betim, mirëpo ndaj të njëjtit është vecuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit dhe se ndaj tij është shpallur aktgjykim fajësues.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti