Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është shpallur aktgjykimi në rastin ku ish-Ministri Pal Lekaj si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, po akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sot, me datë 31 janar 2024, është shpallur aktgjykimi fajësues ndaj të pandehurve: Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale, për vepren penale, Keqpërdorimi i detyrës zyrtare.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani, në aktgjykimin e shpallur për të akuzuarin Pal Lekaj, ka shqiptuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 8 muaj si dhe dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Për të pandehurin, Nebih Shatri gjykata shqiptoi dënim në kohëzgjatje prej 1 vit e 8 muaj dhe dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të funskionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 2 vite.
Kurse, të pandehurit Besim Tahiri, gjykata shqiptoi dënim në kohëzgjatje prej 1 vit e 8 muaj, si dhe dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të funskionit në administratën publike nw kohwzgjatje prej 2 viteve.
Ndërsa, të pandehurit Eset Berisha, i shqipti dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 3 muaj si dhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 3 viteve.
Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.
Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.
E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha