Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Flamur Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi po akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitari S.K.
Sa i përket procedurës lidhur me monitorimin me kamera të sistemit të integruar si dhe sistemit të kontrollit të qasjes, në pyetjen e Prokurorit Halim Borovci se si ka rrjedh kjo procedurë, dëshmitari shtoi se kjo procedurë është filluar nga një menaxher tjetër deri në momentin para nënshkrimit të kontratës, i njejti theksoi se pastaj është caktuar në poziten e ushtruesit të detyrës së menaxherit të Prokurimit në QKUK.
Tutje, dëshmitari shtoi se pas nënshkrimit të kontratës menaxher i kontratës është caktuar, Leutrim Jaha. Ndërsa, sa i përket cështjes së pranimit teknik kanë marrë pjesë të tre personat e akuzuar. Dëshmitari shtoi ndër tjera, se pas pranimit teknik është përpiluar një raport të cilin e ka parë gjatë deklaratës në polici. Ndërsa, sa i përket cështjes së ankesave për mospërmbushje të kontratës, dëshmitari shtoi se nuk ka dëgjuar ndonjë gjë të tillë.
Në pjesën e deklaratës së dhënë në polici dëshmitari kishte theksuar se kontrata është përmbushur në tërësi sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara, në pyetjen e avokat Armend Krasniqi se a është kjo e vërtet, dëshmitari shtoi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici.
Lidhur me kompetencat pas nënshkrimit të kontratës dhe pas caktimit të menaxherit të kontratës, në pyetjen e avokat Fatbardh Makolli se cfarë kompetenca kishte dëshmitari në atë kohë, dëshmitari shtoi se përgjegjësit kalojnë nga menaxheri i prokurimit tek menaxheri i kontratës. I njejti theksoi se, për këtë kontratë nuk ka info rreth pengesave në zbatimin e kësaj kontrate.
Ndërsa, lidhur me përfundimin e punimeve sipas kontratës nga Operatori Ekonomik, dëshmitari theksoi se nuk ka njohuri nëse punimet janë përfunduar në tërësi.
Sa i përket dëmtimit të buxhetit, të QKUK-së, në pyetjen e avokat Fitim Limani, dëshmitari theksoi se ka marrë info rreth problemeve lidhur me zbatimin e kontratës, pastaj ka shkuar në depo dhe i ka parë paisjet, meqë paisjet kanë qenë aty nuk mund të ketë dëmtim të buxhetit në këtë rast.
Në pyetjen e Kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Naser Foniqi, se në pozitën e menaxherit të prokuritmit në QKUK, a lejohet të bëhet pagesa e kontratës për punët të cilat ende nuk kanë përfundur, dëshmitari theksoi se kjo nuk lejohet. Tutje, shtoi se me sa i kujtohet nuk kanë munguar paisjet përveq atyre që ishin të montuara.
Në pyetjen e gjyqtarës Fatime Dërmaku, lidhur me rastin rastin konkret, a do të duhej të kthehej kontrata mbrapa tek menaxheri i kontratës pasi e njejta është dërguar pa raport final, dëshmitari theksoi se i njejti nuk është marrë me këtë lëndë dhe ka qënë dikush tjetër përgjegjës për këtë cështje.
Në seancën e sotme ishte paraparë që të dëgjohet edhe dëshmitari I.J, i cili ishte i ftuar përmes telefonit por i njejti ka munguar dhe nuk e ka njoftuar gjykatën për mungesën e tij. Seanca e radhës do te mbahet me datë: 19 mars 2024 nga ora 13:10.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, Fatlum Hajzeraj, Leutrim Jahja dhe Ylber Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha