Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, është dhënë fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Besart Gashi i cili po akuzohet sa ka kryer veprat penale Falsifikimi i dokumenteve dhe Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor prokurorja e shtetit Dëshire Jusaj ka thënë se qendron pranë propozimit që të administrohen si prova të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në polici me arsyetimin se deklaratat e tyre kanë të bëjnë me çështjen e njejtë me dëshmitarët e proceduar në prokurori dhe gjykatë.
Ku këtë propozim e ka kundështuar mbrojtësja e të akuzuarit Besart Gashi, av. Albana Kelmendi me arsyetimin se asnjëherë nuk i është dhënë mundësia që të ballafaqohet me këta dëshmitar siç kërkohet me dispozitat e KPPK-së.
Ku pas konsultimit të trupit gjykues, është marr aktvendim që propozimi i prokurores të refuzohet pasi që të akuzuarit nuk i është dhënë mundësia që të ballafaqohet me ata dëshmitar.
Pastaj është vazhuar me leximin e provave materiale, dhe me pas është ftuar i akzuari Besart Gashi që të deklarohet ku ai ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Më pas fjalën përfundimtare të saj prokurorja Dëshire Jusaj e ka elaboruar në pika të shkurtra pasi të njëjtën e ka dorëzuar me shkrim. Në të cilën tha se në këtë çështje penale pas administrimit të provave materiale, është vërtetuar se këtu i akuzuari Besart Gashi ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, dhe në fund propozoi që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Në fjalën e saj përfundimtare mbrojtësja e të akuzuarit Besart Gashi, av. Albana Kelmendi, ka kërkuar që gjykata ta lirojë të mbrojturin e saj nga akuza, si dhe në fund shtoi se deklarata e të akuzuarit se ju kishte ndihmuar qytetarëve pa kompenzim regjistrimin e automjeteve duke pas parasysh gjendjen e tyre materiale.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 13.02.2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Besart Gashi, nga 22 gushti 2017 e deri më 15 dhjetor 2020, duke qenë në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, me dashje, në mënyrë të kundërligjshme, dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e organit ku punon nuk përmbush detyrat e tij duke bërë shkeljen e udhëzimit administrativ Nr.01/2018 dhe 07/2019, saktësisht neneve 6 dhe 7. Ku në procedurën e regjistrimit të automjeteve për gjithsej 623 raste të regjistruara janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore, e që prej tyre 570 raste kanë rezultuar të jenë pa pagesë të taksës komunale, 43 raste të tjera janë hasur në parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftime, 5 raste të tjera me afat të skaduar të kontrollës teknike, 4 raste të tjera janë me regjistrime të reja e që në dokumentacion ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës, të cilat në tërësi janë të evidentuara tek pjesa e arsyetimit, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 5,700 euro.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Tutje sipas aktakuzës, ai po akuzohet edhe se më 19 maj 2017, në QRA në Malishevë, në cilësi të personit zyrtar ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij. Sipas aktakuzës, në librezën e veturës “Polo VË”, në rubrikën e vërejtjes kishte shënuar se vetura posedonte xhama të errësuara, ku nga libreza e kësaj veture e cila ishte importuar nga Zvicra, me pronar Gezim Mazreku, dhe në dokumentet e QAK rezulton se vetura nuk i posedonte xhamat e pasme të errësuara, ndërsa në automjetin me numër të shasisë …591 i është bërë evidentimi në sistemin elektronik të automjeteve në rubrikën vërejtje: kinse automjeti posedon xhama të pasme të errësuara nga prodhuesi, për çka rezulton nga kopja e dokumentit të CRA-së me nr.085013 dhe të pronarit tjetër të CRA-së 1002180.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi