|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është dhënë fjala përfundimtare në rastin ndaj ish-kryeshefit të KPM-së 

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku akuzohet për korrupsion ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë. Tutje, seanca ka vazhduar me elaborimin e fjalës përfundimtare.

Prokurori Zef Prendrecaj, ndër të tjera ka deklaruar se pas administrimit të të gjitha provave, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Prokurori Prendrecaj, i ka propozuar gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimit ndaj të akuzuarit Latifi, t’i marr parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese, si dhe t’i shqiptoj dënimin plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Tutje, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Naim Rudari, ndër të tjera, ka deklaruar se aktakuza është vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, si dhe i njëjti ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin t’a shpall fajtor, si dhe t’i shqiptoj dënimin plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Në anën tjetër, mbrojtja, në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që t’i marr parasysh të gjitha provat dhe të marr aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Latifi.

Pas elaborimit të fjalës përfundimtare, gjyqtari Ajvazi ka konstatuar përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ndërsa shpallja e vendimit do të bëhet me datën 13 shkurt.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, e ngarkon të akuzuarin Luan Latifi se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

Në rastin ndaj Latifit, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter