Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca radhës e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Jakup Tërnava, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për Keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në fillim të seancës së sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Jakup Tërrnava, avokati Zafir Kryeziu i propozoi trupit gjykues që të administrohet si provë akgjykimi me numër cnr. 3050/2007, si dhe aktvendimi me numër ac. 1734/2020 lidhur me pronësinë në fjalë, por në kontest civil, meqë rast prokurori dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar kundërshtuan një gjë të tillë, ku prokurori Bekim Kodraliu deklaroi se ndaj gjyqtarit që ka nxjerë aktgjykimin në kontest civil tashmë ka kallzim penal ndaj tij lidhur me këtë çështje.
Vendimi i trupit gjykues qe në favor të mbrojtjes, duke aprovuar propozimin e avokatit Kryeziu që në cilësinë e provës materiale të administrohen aktgjykimi dhe aktvendimi i lartëcekur.
Ndërsa në vazhdim të seancës, dy të akuzuarit, Jakup Tërrnava dhe Ejup Gërguri paraqitën mbrojtjen e tyre.
I akuzuari Tërrnava deklaroi se ka qenë laik lidhur me çështje juridike dhe i ka besuar zyrtares ligjore dhe ish-drejtorit Avdullah Prebreza për ta nënshkruar vendimin për revokim të bartjes së pronësisë.
Tutje, i akuzuari tjetër Ejup Gërguri në paraqitjen e mbrojtjes së tij theksoi se nuk ka ekzistuar ndonjë rast tjetër kur është bërë ndërrimi i pronësisë duke ekzistuar masa e sigurisë lidhur me pronën përkatëse.
Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet me date 15 mars 2024, nga ora 13:15.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masës të sigurisë.
Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij , duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.
Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku po ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti