|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dëshmitarët e radhës në seancën ndaj ish-ushtruesit të detyrës së Sekretarit të MI-së dhe dy zyrtarëve tjerë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve – ish-ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të Automjeteve në MI, Kadri Krasniqi dhe ish- Këshilltarit Politik në MI, Pjetër Ndou.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku ka konstatuar se prezent në seancën e sotme ishin prokurorja Arbresha Shala, i pandehuri Kadri Krasniqi, me mbrojtës av. Murat Paqarada, i pandehuri Pjetër Ndou me mbrojtës av. Meshari Selimaj, si dhe i pandehuri Nebih Shatri me mbrojtësin e tij avokat Driton Musliu.

Në këtë seancë janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Dëshmitari J.H, ka deklaruar se qëndron prapa deklaratës së dhënë në polici. Lidhur me angazhimin e pyetësve teorik në Ministrinë e Infrastrukturës, i njëjti ka theksuar se angazhimin e bëjnë instancat më të larta. Tutje, dëshmitari S.H, ka theksuar se angazhimi i pyetësve teorik bëhet përmes vendimit të ministrit, duke shtuar se një gjë e tillë është kompetencë ekskluzive e ministrit.

Dëshmitari B.K, ka theksuar se licencimi i pyetësve bëhet nga Departamenti i Automjeteve, ndërsa sa i perket çështjes së angazhimit të tyre, sipas ligjit, e bënë ministri.

Për dëgjimin e dëshmitarëve të radhës, gjyqtarja Dërmaku ka vendosur që të dëgjohen në seancën e radhës, me datën 18 prill.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 nëntor 2020 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Nebih Shatri dhe Kadri Krasniqi ngarkohen se si persona zyrtar, në bashkëkryerje me qëllim që të tjerët të përfitojnë e duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, Shatri duke qenë në pozitën e u.d. Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), në kundërshtim me nenin  21 pika 2 të Udhëzimit Administrativ  nr. 08/2016 nuk ka lidhur kontratat pune me pyetësit e angazhuar A.B, L.L, B.P, A,R, A.Sh, S.S, E.B, B.B, M.B, V.K, L.A, F.F,  D.B, E.K, S.K, I.K, H.S, S.K, A.G, V.B, ashtu që ka lejuar që të njëjtit të punojnë gjatë vitit 2017 dhe 2018, Në Njësitë Rajonale për Patentë Shoferë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren,  Ferizaj dhe Gjilan.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shatri në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil  nuk ka zhvilluar asnjë procedurë të rekrutimit për më tepër  ka ndryshuar emrat e pyetësve të propozuar nga Drejtori i Departamentit për Patentë Shofer- dëshmitari Burim Krasniqi, ashtu që i ka dërguar për vendim tek ministri i MI-ës, për çfarë sekretari i përgjithshëm pasues dëshmitari Betim Reçica, në mungesë të kontratave ka qenë i detyruar të lidhë kontrata për shërbime të veçanta në mënyrë retroaktive me 44 pyetësit, përfshirë këtu edhe pyetësit teorik të lartcekur, krejt kjo me qëllim të kompensimit të punës së kryer.

Ndërkaq, në aktakuzë thuhet se Krasniqi duke qenë në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Automjeteve në MI, me dijeninë e të akuzuarit Shatri,  gjatë vitit 2017 dhe 2018 ka lejuar hapjen e konkursit për provim për licencim për pyetës teorik për patentë shoferë, pa asnjë planifikimi paraprak, ka licencuar pyetës në njësit rajonale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me nenin 4 pika 1.6 të Udhëzimit Administrativ nr.08/2016, nuk ka bërë verifikimin e pyetësve, kështu që ka licencuar L.A, E.B, A.Sh, S.S, L.A, F.F, B.B, F.B, E.H, H.T, R.C, E.K, I.K, A.M, D.B, V.B, F.Ç, F.Q.

Gjithmonë sipas aktakuzës thuhet se Krasniqi  në kundërshtim me nenin 1.7 të njëjtit Udhëzim, ka licencuar S.K. G.K, dhe V.L, me ç’ rast të akuzuarit Shatri dhe Krasniqi i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe MI-ës, gjegjësisht Buxhetit të Kosovës.

Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par. 1 lidhur me par 2.1 dhe 2.2 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dipozitivin e dytë të aktakuzës, Pjetër Ndou ngarkohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë e me qëllim të përfitimit në të tjerëve, duke qenë në pozitën e këshilltarit politik në MI në vazhdimësi ka ushtruar ndikim tek zyrtarët e të njëjtës ministri, për dhënien e provimit të testit teorik për patentë shofer, punësim dhe tender.

Siç thuhet në aktakuzë se Ndou më datë 10 korrik 2018, dhe 21 korrik 2018, pasi ka kontaktuar përmes telefonit me dëshmitarin Faton Guta, më pas i njëjti ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së,  ashtu që Alban Berisha ta kaloj testin teorik për patentë shofer, kurse i akuzuari më datë 23 maj 2018 dhe 24 maj 2018 pas kontaktimit me telefon me vajzën e tij,  Diellza Ndou, më pas ka ndikuar tek zyrtarët e Mi-së, ashtu që dëshmitarja Arjana Shoshi ta kaloj testin teorik për patentë shoferë.

Gjithmonë sipas aktakuzës thuhet se Ndou me datë 06 korrik 2018, pasi ka kontaktuar përmes telefonit me ministrinë Pal Lekaj, më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së, ashtu që Labinot Mehmeti ta kaloj testin teorik për patentë shofer.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ndou më datë 03 korrik 2018, pasi ka kontaktuar me telefon me dëshmitarin Donat Syla, ku më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së që i njëjti ta kaloj testin teorik për patentë shofer, kurse më datë 16 gusht 2018, përmes telefonit ka ndikuar tek Koordinatorja Rajonale për Pyetës Teorik për Patentë Shofer të MI-së, Filiz Krasniqi, ashtu që Yll Bestelica ta kaloj testin teorik për patentë shofer.

Më tutje, thuhet se i akuzuari Ndou më datë  9 gusht 2018 dhe 10 gusht 2018, pasi ka kontaktuar përmes telefonit me dëshmitarin Hajdar Sufaj, i akuzuari më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së ashtu që Arbër Beqaj t’ia kaloj testin teorik për patentë shofer.

Ndërsa, sipas aktakuzës thuhet se i akuzuari Ndou  më datë  21 qershor 2018 dhe 15 gusht 2018, pasi ka kontaktuar me dëshmitarin Avni Mazreku, i akuzuari ka ndikuar më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së që operatori Ekonomik “ISPE VOYAGES” sh.p.k, të fitoj linjën e re të transportit për relacionin “Gjakovë-Xërxë-Rahovec-Malishevë-Prishtinë”, “Prizren-Sllatinë-Prishtinë”, dhe “Malishevë-Prishtinë”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ndou në kundërshtim me pozitën e tij zyrtare ka ndikuar në komisionin përzgjedhës për ekzaminer, gjerësisht tek kryetari i komisionit-dëshmitari Mirdit Emini se si të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për ekzaminer.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon Ndou se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 431, par 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter