|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca për caktimin e dënimit ndaj zyrtarit të QRA-së

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të akuzuarit Besart Gashi me datë 13.02.2024 është shpallur aktgjykim dënues për veprat penale Falsifikimi i dokumenteve dhe Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, ku me kërkesën e mbrojtëses së të akuzuarit Besart Gashi, av. Albana Kelmendi sot u mbajt seanca dëgjimore për caktimin e dënimit.

Prokurorja e shtetit Dëshire Jusaj propozoi që si rrethanë rënduese të merret parasysh fakti se i akuzuari Besart Gashi ka kryer veprat penale duke mos i përmbush detyrat në kuadër të kompetencave të tij, ndërsa si rrethana lehtësuese e njëjta tha se nuk ka. Gjithashtu i propozoi gjykatës që përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues konform dispozitave të KPRK-së.

Më pas av. Albana Kelmendi fillimisht i propozoi gjykatës që si provë të administrojë formularet e vlerësimit të rezultateve në punë për vitet 2017-2022 ndaj të mbrojturit të saj, me arsyetimin se me të njëjtat do të dëshmohet se edhe në periudhën kur ka ndodhur ngjarja për të cilën akuzohet dhe pas kësaj periudhe i akuzuari Besart Gashi është vlerësuar me rezultat pozitiv në punë.

Në fund, gjithashtu i propozoi gjykatës që me rastin e shqiptimit të sanksionit penal dhe lartësisë së tij gjykata të ketë parasysh që i mbrojturi i saj nuk ka rënë ndesh asnjëherë me ligjin, moshën e tij të re, është baba i një vajze 8 muajshe, është mbajtësi i vetëm në familjen e tij 4 antarëshe si dhe sjelljen e tij të mirë.

I akuzuari Basart Gashi në fund shtoi se ndjenë keqardhje për rastin që ka ndodhur, edhe pse nuk e ka bërë për përfitimet e tij personale por e ka bërë për qytetarët sepse ashtu edhe e ka udhëzuar koordinatori i tij.

Trupi gjykues pas konsultimit ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e mbrojtëses së të akuzuarit ashtu që si prova do të administrohen formularët për vlerësimin e rezultateve në punë për vitet 2017-22.

Shpalljen e dënimit do të bëhet me datë 21.01.2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Besart Gashi, nga 22 gushti 2017 e deri më 15 dhjetor 2020, duke qenë në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, me dashje, në mënyrë të kundërligjshme, dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e organit ku punon nuk përmbush detyrat e tij duke bërë shkeljen e udhëzimit administrativ Nr.01/2018 dhe 07/2019, saktësisht neneve 6 dhe 7. Ku në procedurën e regjistrimit të automjeteve për gjithsej 623 raste të regjistruara janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore, e që prej tyre 570 raste kanë rezultuar të jenë pa pagesë të taksës komunale, 43 raste të tjera janë hasur në parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftime, 5 raste të tjera me afat të skaduar të kontrollës teknike, 4 raste të tjera janë me regjistrime të reja e që në dokumentacion ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës, të cilat në tërësi janë të evidentuara tek pjesa e arsyetimit, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 5,700 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, ai po akuzohet edhe se më 19 maj 2017, në QRA në Malishevë, në cilësi të personit zyrtar ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij. Sipas aktakuzës, në librezën e veturës “Polo VË”, në rubrikën e vërejtjes kishte shënuar se vetura posedonte xhama të errësuara, ku nga libreza e kësaj veture e cila ishte importuar nga Zvicra, me pronar Gezim Mazreku, dhe në dokumentet e QAK rezulton se vetura nuk i posedonte xhamat e pasme të errësuara, ndërsa në automjetin me numër të shasisë …591 i është bërë evidentimi në sistemin elektronik të automjeteve në rubrikën vërejtje: kinse automjeti posedon xhama të pasme të errësuara nga prodhuesi, për çka rezulton nga kopja e dokumentit të CRA-së me nr.085013 dhe të pronarit tjetër të CRA-së 1002180.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter