|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet e dëmtuara në rastin e ish-noterit të akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e ish-noterit Sinan Visoka i cili akuzohet për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të pandehurit Sejdi Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe po ashtu Sejdi Bajogu dhe Muhamet Dragozhuba akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Mashtrimi”.

Në deklarimin rreth fajësisë, të katër të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave të cilët ngarkohen.

Ndërsa në fjalën hyrëse, prokurori Zefë Prendrecaj paraqiti dëshmitarët të cilët do të dëshmojnë në këtë rast, si dhe rreth mënyrës së shitblerjes së tokës, meqë rast është dëmtuar V.Ç.

Ndërsa mbrojtësit e të pandehurve deklaruan se aktakuza ka të meta dhe se do arrihet të vërtetohet pafajësia e të mbrojturve të tyre.

Në vazhdim të seancës, u dëgjua dëshmitarja V. Ç e cila në këtë process ka cilësinë e palës së dëmtuar, ku në deklarimin e saj në pyetjet e prokurorit Prendrecaj deklaroi se ka pronë 1 hektar në fshatin Hajvali, në Prishtinë, bashkë me këto 13 hektarë që i janë marrë përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për to ka dokumentacion.

‘Përveç A.Ç askujt tjetër asnjëherë nuk i kam dhënë autorizim’, deklaroi dëshmitarja V. Ç lidhur me atë se a ka dhënë autorizim ndonjëherë për ndonjë punë juridike për Sejdi Bajogun tek noteri Sinan Visoka.

E dëmtuara deklaroi poashtu se parashtron kërkesë pasurore juridike dhe kërkoi që prona e cila i është marrë ti kthehet.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar me 29 dhjetor të 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Sinan Visoka akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të pandehurit Sejdi Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe po ashtu Sejdi Bajogu dhe Muhamet Dragozhuba akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Mashtrimi”.

Aktakuza thotë se, pandehuri Sinan Visoka, në cilësi të personit zyrtar-noter në Komunën e Podujevës, duke mos e përmbushur detyrën zyrtare, i njëjti më 27 korrik 2020, përpilon aktin noterial mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara si: Draft certifikatën e pronës të V.Ç pa numër të protokollit e cila ka qenë e vulosur ashtu që, e ka ditur se draft certifikata nuk vuloset, nuk nënshkruhet nga personi zyrtar, po ashtu si bazë e ka marr edhe kopjen e planit të fotokopjuar, ku noteri është dashur të refuzoj punën, mirëpo i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Noterinë të cilat veprime kanë pasur për qëllim dëmtimin e personit të tretë, në këtë rast të dëmtuarës V.Ç.

Tutje thuhet se, me këtë autorizim të datës 27 korrik 2020, me të cilën kinse V.Ç e autorizon të pandehurin Sejdi Bajogu për shitjen e disa parcelave të cilat gjinden në fshatin Hajvali në Prishtinë, këtë veprim i pandehuri Sinan Visoka e ka kryer duke e ditur se dokumentet nuk janë në origjinal, ka nxjerr akt noterial-autorizim, me çka është dëmtuar pronarja e parcelave V.Ç.

Pasi që sipas akuzës, me 14 gusht 2020, i pandehuri tjetër Sejdi Bajogu duke e përdor aktin noterial të lartcekur lidh kontratë të shitblerjes me personin A.V duke e shitur njërën parcelë në vlerë prej 60 mijë euro  ndërsa, me datën 21 shtator 2020, me Aktvendim nga Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës parcela kalon në emrin e blerësit A.V me çka me veprimin e të pandehurit i është shkaktuar dëm të dëmtuarës V.Ç.

Me këto veprime Sinan Visoka po akuzohet se ka kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par 1 i KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter