Sot, në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, tek gjyqtarja Naime Krasniqi Jashanica, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor për të akuzuarin për veprën “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, Fadil Kodra.
Në agjendën e seancës së sotme ishte paraparë marrja në pyetje e dëshmitarit V.G. Në pyetjet nga Prokurorja e Shtetit Nebahate Salihu, lidhur me formularët e plotësimit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik, dëshmitari ka deklaruar që ai si nëpunës në Agjencinë për Menaxhim Emergjent, përkatësisht menaxher i burimeve njerëzore brenda AME-së, asiston në përmbushjen e obligimit ligjor për deklarim të pasurisë nga zyrtarët publik. Lidhur me diskrepancën në shumë prej gati 4,000.00 Euro në të hyrat e të akuzuarit, dëshmitari V.G është përgjigjur se nuk ka ide se si ka arrit vlera e lartcekur sepse ata kanë llogaritur vetëm pagat dhe shtesat, shtesa këto që konsistojnë në shtesa të rrezikshmërisë, shtesat e pandemisë në atë kohë dhe shtesa të pensionit nga UÇK-ja.
Për rastin e diskrepancës, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte bërë kërkesë për qartësim ndaj AME-së, lidhur me diferencën e deklarimit të pasurisë nga ajo që ka qenë e vërtetë, mirëpo në seancën e sotme, dëshmitari është shprehur vetëm se kjo kërkesë është bërë përmes email-it, dhe në fund është përmirësuar ky ‘gabim’.
Seanca ka vazhduar me administrim të provave, e më pas është ndërprerë për shkaqe personale nga ana e Prokurores.
Seanca e radhës është paraparë të mbahet më datë 11 Mars, në ora 09:00.
Përndryshe, i akuzuari Fadil Kodra, është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bazë të aktakuzës së datës 26 Janar 2023, për veprën e lartcekur sepse i njëjti ka paraqitur raport të rremë të pasurisë për periudhën 1 Janar – 31 Dhjetor 2020, duke mos shënuar kështu shumën e saktë të hyrave të përgjithshme. Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Financave, diferenca ka qenë 4,078.68 Euro më pak të deklaruara.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rina Murseli