Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda, janë dëgjuar 3 dëshmitarë në rastin e njohur si Veteranët, ku Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen se në bashkëkryerje kanë Keqpërdorur pozitën zyrtare.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës së parë Sh.M.
Dëshmitarja Sh.M, theksoi gjatë luftës ishte e angazhuar në zonën e Drenicës, tutje shtoi se kishte qenë e angazhuar deri në përfundim.
Sa i përket moshës së dëshmitarës në kohën e luftës e njejta theksoi se kishte qenë në moshë 14 vjecare. Tutje, në pyetjen e prokurorës speciale Sebahate Hoxha, rreth statusit të saj të tanishëm, dëshmitarja theksoi se e gëzon statusin e veteranit. Kurse, lidhur me pensionin e veteranit dëshmitarja theksoi se e ka gëzuar për një periudhë prej një viti, deri në kohën kur është punësuar.
Ndërsa, rreth personave tjerë të mitur, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Gazmend Bahtiri, se a kishte pasur ndonjë tjetër, dëshmitarja theksoi se i kujtohen disa nga ata.
Sa i përket cështjes se e njejta a kishte njohur ndonjë rast i cili kishte përfituar statusin e veteranit por në realitet nuk i kishte takuar, dëshmitarja shtoi se në atë kohë nuk ishte marrë me këtë pjesë.
Dëshmitari i dytë, F.TH, theksoi se kishte marrë pjesë në luftë, deri në përfundim. I njejti shtoi se kishte qenë i uniformuar dhe i armatosur. Ndërsa, sa i përket moshës së tij në kohën e luftës, dëshmitari theksoi se kishte pasur moshën 17 vjecare. Tutje, lidhur me aplikacionin e statusit të veteranit dëshmitari shtoi se e kishte plotësuar personalishtë.
Dëshmitari i tretë, A.V, theksoi se kishte marrë pjesë në luftë, gjatë vitit 1998 deri në përfundim të luftës. Tutje, dëshmitari pohoi faktin se kishte qenë i armatosur dhe i uniformuar. Kurse, lidhur me moshën e tij në kohën e fillimit të luftës, dëshmitari shtoi se kishte qenë 16 vjecar. Ndërsa, edhe për aplikacionin për njohjen e statusit të veteranit dëshmitari shtoi se e kishte plotësuar personalishtë.
Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri theksoi se dy dëshmitarë tjerë edhe pse kishin pranuar ftesë në mënyrë të rregullt të njejtit nuk ishin prezent, rrjedhimishtë seanca u ndërpre dhe të njejtit do të ftohen në seancën e radhës.
Seanca e radhës do të mbahet me datë: 1 mars nga ora 09:30.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, me 16 prill 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues në rastin “Veteranët”, por, Gjykata e Apelit – Departamenti Special, më 21 mars 2022, kishte aprovuar si të bazuar ankesën e PSRK-së ndërsa kishte anuluar aktgjykimin e themelores, duke vendosur që lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të datës 13 shtator 2018, e përmirësuar më datë 7 dhjetor 2018, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 30.01.2017 në Prishtinë, në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’.
Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha