Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Për shkak se procedura ndaj të akuzuarit Biserov më herët ishte veçuar, pasi gjykata ia kishte dorëzuar ftesën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, por nuk kishin prova nëse i njëjti e kishte pranuar atë në mënyrë të rregullt, gjyqtari Gëzim Ademi kërkoi që të bëhet bashkimi i lëndës së të akuzuarit Biserov me tre të akuzuarit tjerë, pasi janë të akuzuar të njëjtë, dëshmitarë të njëjtë dhe prova të njëjta në këtë rast, pasi që i pandehuri Biserov Alejkov premtoi se do të prezentoj në seancat e radhës.
Me pajtimin e prokurorit të shtetit, si dhe mbrojtësve dhe të të akuzuarve, trupi gjykues nxori aktvendim për bashkimin e lëndëve.
Mirëpo, me bashkimin e procedurës u pamundësia vazhdimi i seancës së shqyrtimit gjyqësor në mungesë të përkthyesit të gjuhës turke, për shkak që i akuzuari Biserov është i kombësisë turke, andaj gjyqtari konstatoi se nuk ka kushte për të vazhduar seancën në mungesë të përkthyesit të gjuhës turke.
Seanca radhës u caktua të mbahet me datë 11 prill 2024, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare, ku me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.
Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Martin Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili sistem është manual dhe hyn në funksion vetëm në rastet reserve ‘Back up’ dhe asnjëherë traka që dërgon bagazhet në VIS HR nuk guxon të operojë pa u kontrolluar imazhet e VIS HR.
Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.
Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.
Sipas aktakuzës, të katër të akuzuarit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti