|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Bejtullah dhe Hazer Deliu të cilët po akuzohen për veprat penale Falsifikimi i parasë dhe Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në fillim të shqyrtimit, kryetari i trupi gjykues Sulltan Dobraj bëri të ditur se dy dëshmitarët që është planifikuar të dëgjohen në këtë shqyrtim gjyqësor nuk janë të pranishëm, ku sa i përket dëshmitares A.SH sipas raportit policor rezulton se e njëjta tashmë gjindet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa dëshmitari A.K është ftuar në mënyrë të rregullt por mosardhjen nuk e ka arsyetuar.

Kështu që prokurorja e shtetit Dëshire Jusaj  i ka propozuar gjykatës që kjo seancë të ndërpritet dhe e njëjta të shtyhet për një datë tjetër, ku dhe do të bëhet përpjekje nga ana e prokurorisë që të sigurojnë një adresë të dëshmitares A.SH dhe e njëjta të dëgjohet përmes videolinkut.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Bejtullah Deliu, av. Ndrecë Dodaj, e ka kundështuar propozimin e prokurores për dëgjimin e dëshmitares A.SH përshkak se kjo dëshmitare është dëgjuar 2 herë dhe nuk besohet që do të thotë diçka më tepër se çka ka deklaruar, konsiderohet se kjo është një provë e pranueshme, i ka propozuar gjykatës që dëshmia e saj e dhënë në prokurori të lexohet.

Lidhur me propozimet e palëve, trupi gjykues pas këshillimit, mori aktvendim me të cilin e ka aprovuar propozimin e prokurores që të ndërpritet seanca e sotme dhe e njëjta të shtyhet për një datë tjetër në të cilën seancë do të bëhen përpjeke për dëgjimin e dëshmitares A.SH përmes videolinkut. Si dhe sa i përket dëshmitarit A.K gjykata do të lëshoj urdhëresë për shoqërim përmes policisë.

Meqenëse nuk janë plotësuar kushtet ligjore seanca e shqyrtimit gjyqësor u caktua për datën 19.04.2024 10:00.

Kujtpjmë që sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 7 gusht 2023, aktakuzë ndaj të pandehurave Bejtullah dhe Hazer Deliu, ku sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i pandehuri Hazer Deliu, pronar i biznesit “Rita Tobaco”, akuzohet se duke e ditur se paratë e biznesit të tij janë të falsifikuara, ia ka dërguar Bejtullahut, vëllait të tij, njëherit menaxher i Postës së Kosovës në Rahovec për këmbim në letër monedhat metalike nga 2 euro, 1 euro dhe 0.50 euro, shumën e përgjithshme prej 7 mijë euro, të cilat janë vënë në qarkullim nga Posta për qytetarët që marrin asistencë sociale. Tutje në aktakuzë thuhet se, pas njoftimit të Inspektoratit të Postës së Kosovës se në ZP 01 Rahovec janë dhënë monedhat e falsifikuara, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar monedhat metalike të falsifikuara. Me këto veprime, i pandehuri Hazer Deliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296, par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i pandehuri Bejtullah Deliu, më 28 shkurt 2023, në cilësinë e menaxherit të Postës së Kosovës – Dega ne Rahovec, Zyra Postare 01, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe vëllan e tij- të pandehurin Hazer Deliu, ka pranuar monedhat prej 2 euro, 1 euro dhe 0.50 euro, në shumë të përgjithshme prej 7 mijë euro, janë vënë në sportelet e Postës për t’ua dhënë qytetarëve për asistencë sociale, edhe pse ishte njoftuar paraprakisht nga Zyra regjionale e Postës në Prizren, që mos të pranohen monedhat metalike nga klientët pasi që banka nuk po ua pranon. Me këto veprime, i pandehuri Bejtullah Deliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296, par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par. 1 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter