|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet dëshmitari i radhës në rastin “Subvencionet 2”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin Special është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj pesë të akuzuarve, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika,  Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj. për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrje ryshfeti’, ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Mashtrim me subvencione’.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Blerim Mulliqi, i cili ka qenë dhe i akuzuar në këtë rast dhe është në vuajtje të dënimit për veprat penale për të cilat e ka pranuar fajësinë dhe ka aktgjykim të formës së prerë ndaj tij.

Në pyetjet e prokurorit special Rafet Halimaj, dëshmitari deklaroi lidhur me ndihmën e dhënë në cilësinë e inspektorit në terren në atë kohë ndaj të akuzuarit Hazir Metaj.

Njëkohësisht nga ana e prokurorit Halimaj dëshmitarit iu prezantua videoincizimi për pranimin e parave të të akuzuarit Metaj nga ana e të akuzuarit Luan Statovci në zyrën e AZHB-së.

Përveç të akuzuarit Metaj, dëshmitari deklaroi se iu ka ndihmuar edhe të tjerëve për të përfituar subvencionet dhe që për këtë zakonisht i ka kërkuar për procesim të lëndës të akuzuarit Statovci.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Statovci, avokati Naim Rudari në pyetjet e parashtruara ndaj dëshmitarit theksoi se dëshmitari ka dhënë dy deklarata në thuajse në të njëjtën kohë sipas shkresave të lëndës, në të cilën dëshmitari theksoi se ka dhënë një deklaratë kur është ftuar nga prokuroria.

Tutje, në vazhdim të seancës, në pyetjet e mbrojtësit Emrush Kastrati lidhur me njohjen me të mbrojturin e tij Rasim Zekaj, dëshmitari deklaroi se nuk e ka njohur personalisht dhe se nuk ka komunikuar as përmes telefonit me të, por që vetëm ka njohur firmën dhe ka parë emrin e tij në listë.

Seanca e shqyrtimit gjyqëor do të vazhdon edhe nesër, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës si të akuzuar janë Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për Keqpërdorim të detyrës zyrtare, Marrje ryshfeti, Dhënie ryshfeti, Mashtrim me subvencione dhe Ushtrim ndikimi.

Më 15 mars 2023, pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Kurse në seancën e 13 marsit 2023, të akuzuarit Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hazir Metaj, kishin pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, por jo edhe për veprën penale “Mashtrim me subvencione”. Pranimin e fajësisë për këtë vepër Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga e kishin bërë në seancën e datës 23 qershor 2023, pasi që aktakuza ishte konsideruar e lexuar.

Ndërkaq, të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hysni Morina, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.

Ndërsa, në seancën e datës 23 qershor 2023, Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina të akuzuar për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me Subvencione”, janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.

Andaj Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë për të akuzuarit Luan Statovci, Sedat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter