Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor për rastin ‘Subvencionet II’, ku të akuzuar janë Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj, për veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrje ryshfeti’, ‘Dhënie ryshfeti’ dhe ‘Mashtrim me subvencione’.
Për seancën e sotme ishte paraparë të merrej në pyetje dëshmitarja e fundit V.M, punëmarrëse tek Organic Herb Sh.p.k, biznes i të akuzuarit Rasim Zekaj. Nga pyetjet nga Prokurori i Prokurorisë Speciale, Rafet Halimi, dëshmitarja ka deklaruar që në vitin 2020, në emër të kompanisë Organic Herb Sh.p.k, kompani ku ajo punon si menaxhere e cilësisë, ka kompletuar dokumentacionin e kërkuar për subvencione pranë Ministrisë së Bujqësisë, respektivisht Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (tutje referuar si “AZHB”). Ndër të tjera, dëshmitarja V.M ka deklaruar që pas kompletimit të dokumentacionit, është zhvilluar takim në mes përfaqësuesve të kompanisë Organic Herb Sh.p.k, ku një ndër ta ka qenë edhe ajo, dhe zyrtarëve përkatës të AZHB-së, dhe aty është parë që ka pas mospërputhje ndërmjet listave. Gjatë shqyrtimit të sotëm ka pas paqartësi lidhur me këto lista, mirëpo dëshmitarja ka deklaruar që në emër të kompanisë është aplikuar për produkte që Ministria nuk ka subvencionuar për kohën kontestuese, pra në vitin 2020, por aplikimi në emër të kompanisë është bërë për të gjitha produktet që kanë qenë të mbjella në atë kohë në parcelat e kompanisë Organic Herb. Në fund dëshmitarja ka deklaruar që nuk ka dijeni se si ka ardh deri tek subvencionimi edhe pse listat nuk kanë qenë në përputhje.
Seanca ka vazhduar me leximin e provave materiale nga ana e Prokurorisë Speciale ku edhe mbrojtësit e palëve të akuzuara kanë paraqitur kundërshtimet e tyre.
Në pjesën e dytë të seancës së sotme, i akuzuari Rasim Zekaj ka kërkuar përjashtimin e Trupit Gjykues dhe Prokurorit të rastit me arsyetimin se i janë refuzuar të gjtiha propozimet për plotësim të provave. Lidhur me këtë Gjykata ka konstatuar se nuk ka kushte për vazhdim tutje deri në vendosjen mbi kërkesën për përjashtim.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rina Murseli