Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca e radhës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovic, në rastin ku, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Marko Rashiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj theksoi, se pasi që nuk ka propozime të tjera për administrim të provave apo dëgjim të dëshmitarëve në seancën e sotme të akuzuarit do të paraqesin mbrojtjen e tyre.
I akuzuari Nedeljko Spasojeveiq, theksoi se edhe pas kërkesës së bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor për t’u paisur me deklaratat e tij të dhëna në polici, me të njejtat nuk janë të paisur, ai shtoi se nuk mund të vazhdojnë me mbrojtjen në seancën e sotme. Po ashtu, edhe e akuzuara Silvana Arsovic me kërkesën e njejtë për paisje me shkresa të përkthyera theksoi se pasi që nuk janë paisur me shkresat e njejta rrjedhimisht, nuk mund të bëjnë mbrojtjen në seancën e sotme.
Ndërsa, të akuzuarit Marko Rashic, Dragisha Markovic dhe Zharko Jovanovic theksuan se pas konsultimit me mbrojtësit e tyre të njejtit do të mbrohen në heshtje.
Kurse, i akuzuari Rade Basara theksoi se është i gatshëm për paraqitjen e mbrojtjes.
Në rrethanat e krijuara, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, theksoi se seanca e sotme duhet të ndërpritet dhe mbrojtja e të akuzuarve të cilët do të deklarohen do të bëhet në seancën e radhës.
Seancat e radhës do të mbahen me datë: 26 mars dhe 15 prill nga ora 09:30.
Nryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Rashiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”,
Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markoviq, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedeljko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Aktakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij.
Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha