|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca për matjen e dënimit ndaj dy të akuzuarve që kanë pranuar fajësinë në rastin ‘Subvencioni IV’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca për matjen e dënimit ndaj dy të akuzuarve Gjon Musolli dhe Halit Berisha, të akuzuar për korrupsion dhe mashtrim me subvencione, në rastin e njohur si “Subvencioni IV”.

Në fillim të seancës, gjyqtari i rastit Mentor Bajraktari deklaroi se kanë pranuar raportin parandëshkimor për dy të akuzuarit nga Shërbimi Sprovues i Kosovës.

Ndërsa zyrtaret e Shërbimit Sprovues të Kosovës sipas raportit të nxjerrë për dy të akuzuarit, deklaruan se qëndrojnë pranë raportit dhe në konkluzionet e paraqitura përfshihen rrethanat që të akuzuarit e kanë pranuar veprën, ndihen të penduar dhe se kanë premtuar se nuk do kryejnë vepër tjetër në të ardhmen, se janë mbajtës të familjes dhe merren me bujqësi, duke rekomanduar caktimin e dënimit alterantiv, duke përfshirë urdhër për punë në dobi të përgjthshme apo dënim me kusht.

Ndërsa sipas prokurorit Rafet Halimaj, përveç rrethanave lehtësuese tek të akuzuarit përfshihen edhe rrethanat rënduese si vlera e lartë e ryshfetit, vlera e lartë e përfitimit në mënyrë të kundërligjshme etj.

Përveç marrjes parasysh të rrethanave lehtësuese, mbrojtja e dy të akuzuarve kërkuan nga kryetari i trupit gjykues edhe zbutje të dënimit konform Kodit të Procedurës Penale në raport me të mbrojturit e tyre.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve Musolli dhe Berisha do të bëhet sot, në ora 14:30.

Kujtojmë se dy të akuzuarit kishin pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 12 shkurt 2024, meqë rast ishte veçuar procedura ndaj tyre.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, Gjon Musolli akuzohet për për shkak të veprës penale ‘Dhënie ryshfeti’ në vazhdimësi, nga neni 422, par.2, lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe veprës penale ‘Ushtrim i ndikimit’ nga neni 424, par.2 të KPRK-së dhe veprës penale ‘Mashtrim me subvencione’ nga neni 324, par.1 lidhur me par.3 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së, si dhe i pandehuri Halit Berisha për shkak të veprës penale ‘Dhënie ryshfeti’ nga neni 422, par.2 të KPRK-së dhe veprës penale ‘Mashtrim me subvencione’ nga neni 324, par.1 të KPRK-së.

Bashkë me dy të akuzuarit e lartëcekur, në rastin ‘Subvencionet IV’ akuzohen nga Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), edhe: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi dhe Lulzim Hajdaraj, të gjithë zyrtarë publik, për kryerjen e veprave penale: “marrje ryshfeti”, “ushtrim ndikimi”, “mashtrim në detyrë”, “ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter