|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj noterit i cili po akuzohet për Korrupsion

Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj noterit Bedri Godanci për veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi, po ashtu i njëjti akuzohet edhe si bashkëkryerës me të pandehurit Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për veprën penale Falsifikim i dokumentit zyrtar, më pas i pandehuri Besart Godanci ngarkohet për veprën penale dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale Falsifikim i dokumentit zyrtar, si dhe të pandehurit Elmi dhe Bali akuzohen për Mashtrim.

Në fillim të shqyrtimit gjqyësor, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Kukaj-Mekaj bëri të ditur se përbërja e trupit gjykues ka pësuar ndryshime, anëtar të trupit gjykues tani janë gjyqtarja Blerta Kelmendi dhe gjyqtari Arben Mustafaj, kështu që shqyrtimi ka filluar rishtazi.

Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që akuzohen.

Gjithashtu edhe mbrojtësit e tyre qëndruan pas fjalëve hyrëse të dhëna në shqyrtimet e mëparshme gjyqësore.

Në vazhdim të shqyrtimit është dëgjuar i dëmtuari/dëshmitari H.A, i cili ndër të tjera ka deklaruar se, të akuzuarit Elmi dhe Bali Arifaj i ka vëllezër. Gjatë deklarimit ka potencuar që në fshatin Dresnik të Klinës janë 4 shtëpi, të cilat janë të ndara për secilin vëlla, shtëpia ka qenë në emrin e tij mirëpo toka ka qenë në emër të vëllait të madh D.A, ku ka thënë se 80% i kontributit në blerjen e atyre tokave ka qenë i tij dhe i vëllait M.A. I njëjti ka shtuar se, nuk e dinte saktë se nga cila periudhë por që të 3 shtëpiat janë në hipotekë, dhe me të kuptuar që shtëpia e tij është në hipotekë ka kontaktuar vëllain e tij D.A, ku nga ai ka marr arsyetimin se e gjithë Kosova është në kredi, mos e ta bëjë të madhe këtë punë dhe shtëpia do të të kthehet. Dëshmitari në fund shtoi se, beson se për çdo veprim që ka marr veprim Elmia, vëllai D.A e ka ditur, meqenëse të njëjtit kanë një firmë dhe se bashkëshortja e D.A, i ka dhënë atorizim Elmis që të ndërmarr veprime pasi që ky i fundit ishte në burg.

Më pas deklarata e dëshmitarit S.M, dëshmitar ky i propozuar nga prokuroria tashmë jeton jashtë vendit, me propozim të gjitha palët janë pajtuar që e njëjta të lexohet.  

Në fund të kësaj seance është dëgjuar dëshmitarja E.A, e cila ka pohuar faktin që ka qenë një herë në zyrën noteriale të noterit Bedri Godanci, këtu të pandehurit, të njëjtës nuk i kujtohej saktësishtë se për çka ka qenë por për të dhënë një pëlqim për shtijen e një autobusi e që në fakt autobusi veç se ka qenë i shitur, por sipas saj i pandehuri Elmi e ka  detyruar që të jap pëlqim. E njëjta është ballafaquar me pëlqimin e datës 15.04.2015 sa i përket nënshkrimit, dhe ka deklaruar se është nënshkrimi i ngjashëm, por është kopje dhe nuk mund ta dalloj mirë.  

Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës, e datës 29 qershor 2022, i pandehuri Bedri Godanci akuzohet se me 13 qershor 2017 në Klinë, si noter në vazhdimësi nuk i kishte përmbushur detyra e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj. Ku sipas aktakuzës Godanci akuzohet se kishe përpiluar dhe vërtetuar me nënshkrim dhe vulë autorizimin LRP.nr.3109/2017, kinse për të dëmtuarin Deli Arifaj si autorizues edhe pse i dëmtuari nuk kishte qenë prezent dhe nuk kishte pasur dijeni për këtë autorizim, ku përmes këtij autorizimi e autorizonte Bali Arifajn për shitjen e të gjithë patundshmërive të evidentuara në emër të biznesit të dëmtuarit “Florimi Trans” si dhe patundshmërive të evidentuara në emrin e tij në Klinë, që sipas Prokurorisë e tejkalojnë vlerën prej 1 milion euro, si dhe të drejtën të ngarkojë në hipotekë në patundshmëri.

Po në këtë datë, i pandehuri lidhë kontratë për hipotekën me bankën BKT dhe përmes këtij autorizimi të përfitojnë shumën prej 250 mijë eurove në emër të kredisë nga BKT.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze të pandehurin Godanci e ngarkon se më 28 janar 2019 kishte përpiluar kontratat e shitblerjes që i pandehuri  Bali i kishte bërë me personat tjerë përmes autorizimit të falsifikuar në emër të Deli Arifajt, në atë mënyrë që, noteri e përpilon kontratën LRP nr.641/2019 të shitblerjes në emër të Bali Arifajt, kinse i autorizuar i shitësit, të dëmtuarit Deli Arifaj dhe blerësit Nysret Mustafaj për pronën në sipërfaqe prej 500m2 Zona Kadastrale në Dresnik dhe pronën 1829m2 , duke i mundësuar të pandehurve Elmi dhe Bali Arifaj përfitim të shumës prej 143 mijë euro,

Me këtë, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 e nenin 81 të KPRK-së.

Në këtë aktakuzë gjithashtu prokuroria i ngarkon në bashkryerje të pandehurit Bedri Godanci, Elmi Arifaj, Bali Arifaj dhe Sinan Kryeziu për falsifikim të dokumentit zyrtar, ku sipas aktakuzës noteri Godanci me marrëveshje me të pandehurit tjerë i ka mundësuar të pandehurit Sinan të falsifikojë dokumentin zyrtar me të dhëna të rreme dhe atë autorizimin LRPnr.3109/2017, me ndërmjetësimin e të pandehurit Elmi dhe Bali ia dërgon autorizimin në fjalë të pandehurit Sinan, i cili po qëndronte në shtëpinë e të pandehurit Elmi, e pasi i njëjti e falsifikon nënshkrimin e të dëmtuarit Deli në të, i pandehuri Bedri e vërteton nënshkrimin e vulë autorizimin në fjalë.

Me këtë, akuzohen se si bashkëkryerës të pandehurit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 31 të KPRK-së.

I pandehuri Besart Godanci akuzohet se në cilësi të asistentit noterial më 13 qershor 2017 ndihmon në kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Thuhet se i pandehuri në marrvëshje me të pandehurit Bedri e Elmi Arifaj e dijeninë e të pandehurit Bali, autorizimin të cilin e kishte përpiluar paraprakisht i pandehuri Bedri, e dërgon në shtëpinë e të pandehurit Elmi për t’u nënshkruar i pandehuri Sinan në vend e pa dijeninë e të dëmtuarit Deli Arifaj, me të cilin autorizimin kinse i dëmtuari Deli e ka autorizuar të pandehurin Bali për shitjen e të gjitha pronave të tij dhe bartjen e tyre në hipotekë,

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, par.1 lidhur me 33 të KPRK-së.

Gjithashtu të pandehurit Elmi dhe Bali Arifaj akuzohen se më 13 qershor 2017 në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) në vazhdimësi me marrëveshje parapake, me paraqitje të rreme të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë vënë në lajthim zyrtarët e bankës në dëm të pasurisë së saj, duke prezantuar autorizimin e falsifikuar kinse si autorizues Deli Arifaj dhe përfitojnë 250 mijë euro në emër të kredisë duke lënë peng patundshmëritë e të dëmtuarit Deli, e të cilën kredi nuk e paguajnë. Po ashtu, të njëjtit ngarkohen se kishin hyrë në raporte të shitblerjes me pronat e të dëmtuarit Deli.

I pandehuri Elmi Arifaj akuzohet se më 18 korrik 2018 në Klinë, edhe pse ishte i vetdijshëm se pronat ishin në emër të Deli Arifajt në regjistra kadastral, ia shet pronat sipas kontratës mbi shitblerjen këtu të dëmtuarit Nysret Mustafa përmes babait të tij për shumën prej 260 mijë euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi “, nga neni 335, par.2 e 4 e lidhur me par.1 me nenin 31 e 81 të KPRK-së. 

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

 Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter