|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit në rastin e ish-zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me trup gjykues, Kujtim Krasniqi në cilësi të kryetarit, Lutfi Shala dhe Vesel Ismaili, në cilësi të anëtarëve, ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit B.E, për rastin ndaj të akuzuarve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar për Keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN Internation” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit, me ç’rast në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak kanë incizuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit.

Seanca e sotme ka proceduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit B.E nga mbrotja e të akuzuarit Driton Mehaj, Avokat Ilir Rashiti. Nga pyetjet fillestare të mbrojtjes, dëshmitari B.E ka shprehur që Driton Mehaj si menaxher i kontratës, në kohën kontestuese ka dorëzuar një raport i cili ka përshkruar situacionet dhe përqindjet e punëve të kryera për secalin situacion që po ashtu ka reflektuar edhe për punët e pakryera. Ky raport ka qenë në përqindje dhe aty janë konstatuar rreth 95% të punëve të kryera, por këto situaciona kanë pas përqindje të ndryshme. Dëshmitari ka shprehur që pavarësisht raportit të dorëzuar, dyshimi ka qenë se ato përqindje nuk kanë reflektuar saktë situatën në terren dhe ka pas punë shumë të rëndësishme që nuk janë kryer.

Dëshmitari në pyetjet në vijim nga mbrojtja është deklaruar edhe për një diskrepancë fillimisht prej 60,000.00 Euro në raportet për borxhin ndaj operatorit ekonomik për punët e kryera, ku fillimisht borxhi ka qenë 260,000.00 Euro, e që pas kontrolleve të llogaritjeve për këtë, kishte rezultuar se borxhi real ishte 200,000.00 Euro.

Lidhur me pyetjet nga mbrojtja për auditimin e bërë për këtë projekt, koncepti i auditimit përkundër pretendimeve të dëshmitarit që t’a shpjegoj se c’është auditimi, kjo doli e paqartë për vetë dëshmitarin B.E, ku pas shumë mundimeve të pyetjeve qartësuese lidhur me këtë nga mbrojtja, B.E konkludoi se për këtë projekt nuk ka pasur auditim të vecantë, mirëpo ka pas auditim të përgjithshëm, ku ky i fundit vetëm e prek kontratën, mirëpo nuk ka thellësi të shpjegimit lidhur me të.

Dëshmitari B.E, u deklarua sot edhe për një rast që kishte të bëj me instalimin e gjeneratorëve sipas standardeve, ku i njëjti u përgjigj që i akuzuari Driton Mehaj ishte përgjigjur për atë rast pasi që kishte qenë edhe përgjegjësi e tij që pajisjet të furnizohen me energji të mjaftueshme. Cështja me rrymën, dëshmitari ka shprehur që është ndërlidhur me mungesën e gjeneratorëve ku edhe në ditën kur ka pas të vijë zëvendëspresidenti i SHBA-së në atë kohë, e tani president, Joe Biden, ka pas ndërprerje të rrymës elektrike dhe gjeneratori rezervë nuk është ndezur.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit B.E, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar me datë 18 Mars në ora 09:30.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Të njëjtit akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar operatorit ekonomik “TCN Internation” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit, me ç’ rast në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak kanë incizuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit.

Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808,296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj Operatorit Ekonomik të paraparë me ligj dhe kontratë.

Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter