|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Paraqet mbrojtjen i akuzuari i fundit në rastin e tre zyrtarëve të Komunës së Fushë-Kosovës

Sot, më datë 15 Mars, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me trup gjykues, Medie Bytyqi, në cilësi të kryetares, Gëzim Ademi dhe Agim Kuci, në cilësi të anëtarëve, ishte paraparë të mbahej seanca lidhur me tre zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës, në rastin ku Jakup Tërnava, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës  dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në rendin e seancës së sotme ishte paraparë të dëgjohej mbrojtja e të akuzuarës Liridona Mustafa-Sadiku. E akuzuara ka deklaruar lidhur me rastin se në vitin 2008 kur është bërë vendimi i parë, ajo nuk ka qenë në marrëdhënie pune. Në vitin 2015 përsëri kur është duhur të nxirret një vendim nga ana e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Fushë Kosovë (që merret në formë Aktvendimi edhe këtu pasi pranohet Aktvendimi për vendosjen e Masës së Sigurisë nga ana e Gjykatës), e akuzuara ka qenë në pushim të lehonisë, ku në mesin e dytë të vitit 2015, është rikthyer në punë. Ajo gjithashtu ka shprehur që vendimin për masë nuk e ka parë dhe nuk ka qenë e interesuar për këtë parcelë.

E akuzuara, Liridona Mustafa-Sadiku, në pyetjet nga mbrojtësi i saj, ka deklaruar më tej që përpilimi i Aktvendimeve nga Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë pas pranimit të Aktvendimeve për Masat e Sigurisë nga Gjykata, kanë qenë kompetencë e drejtorit dhe në mungesë të tij/saj, i kanë bërë edhe zyrtarët ligjor brenda institucionit.

Lidhur me vendimin kontestues për revokim të vitit 2016, Liridona Mustafa-Sadiku ka shprehur që e ka përpiluar zyrtarja Mevlude Nishori, ndërsa e akuzuara vetëm ka bërë punën teknike, mirëpo ajo e ka theksuar disa herë që ndërrimi bëhet nga personi që përpilon Aktvendimin nga ana e Kadastrit.

Tutje, e akuzuara e lartpërmendur në pyetjet nga Prokurori i Shtetit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar që ajo vetëm ka aprovuar vendimin për revokim, mirëpo në sqarim e tutje kjo nuk nënkupton që e ka nxjerrë, pasi para kësaj procedure ka ekzistuar një Aktvendim i nxjerrë nga ana e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë. Ajo më tej ka shprehur që vetëm e ka zbatu një vendim që i është thënë për me revoku, ndërsa masën nuk e ka pa dhe përderisa në atë pozitë e ka pasur vendimin e nënshkruar nga një person me pozitë më të lart, ajo ka pas për obligim që t’a zbatoj atë, qoftë aprovues apo refuzues. Ajo shtoi se nëse do futej më thellë në sistem do ishte parë edhe që ka masë të sigurisë, por që kësaj nuk i kishte interesuar pasi sipas saj ishte vetëm duke zbatuar urdhër.

Në fund, e akuzuara ka shprehur që përgjegjësi e saj është nxjerrja e vendimeve dhe ajo përgjigjet vetëm për vendime të saj, por jo edhe të të tjerëve dhe ajo në këtë rast vetëm ka zbatu një urdhër.

Shqyrtimi gjyqësor është shtyer për datë 3 Prill në ora 08:45.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masës të sigurisë.

Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij , duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.

Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku po ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli  

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter