|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallet aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës për Keqpërdorim të pozitës zyrtare

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës Zoja Krasniqi për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa për të njëjtën është refuzuar akuza për veprën penale “Konflikt i interesit”, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale. E akuzuara Albulena Rama është shpallur fajtore për veprën penale “Mashtrim me subvencione”.

Sa i përket të akuzuarve Armend Gashi, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela, është refuzuar akuza, për shkak se Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.

Ndaj të akuzuarit Valon Bllacaku, gjykata ka shpallur aktgjykim lirues për veprën penale “Mashtrim me subvencione”, pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale.

Të pandehurave Zoja Krasniqi dhe Albulena Rama ju është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, për secilën veç e veç, të cilin dënim, të pandehurat do t’a mbajnë në gjysmëliri.

Po ashtu, e pandehura Zoja Krasniqi obligohet që Komunës së Prishtinës, t’i kompensoj dëmin e shkaktuar në shumën prej 24.900 euro, ndërsa e pandehura Albulena Rama obligohet që Komunës së Prishtinës t’i kompensoj dëmin e shkaktuar në shumën prej 13.250 euro.

Ndaj të njejtave, gjykata ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, për secilën veç e veç, në kohëzgjatje prej 3 viteve.

Aktgjykimi u shpall nga gjyqtarja Fatime Dërmaku.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Zoja Krasniqi, e cila në periudhën kohore kritike mbante pozitën e zyrtares në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autoritetin e saj zyrtar.

Ajo dyshohet se që nga viti 2010 e deri në viti 2014 ka përpiluar dosje fiktive përmes të cilave u ka mundësuar familjarëve të saj – Arben dhe Armend Gashi, Albulena Rama dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme përmes subvencioneve në kuadër të Komunës së Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve familjarët e saj kanë përfituar rreth 25 mijë euro nga këto subvencione të ndara për projekte të ndryshme, e të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

Lidhur me këto veprime, mbi Krasniqin rëndojnë akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në vazhdim, e akuzuara Albulena Rama – Gashi në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me projekte fiktive në emër të Shpresa Krasniqit, duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj – Zoja Krasniqit. Përmes këtyre veprimeve, Rama – Gashi dyshohet të ketë fituar shumën 10,150 euro me ç’rast Prokuroria e ka ngarkuar me akuzën se ka kryer veprën penale – mashtrim me subvencione.

Projektet fiktive të së njëjtës i ka shfrytëzuar e akuzuara Dafina Çela, e cila ka aplikuar në projektet “Suksesi varet nga përpjekjet” dhe ‘’Rinia e jonë” me ç’rast akuzohet se përmes veprës penale – mashtrimi në subvencione ka përfituar shumën prej 1,115 euro.

Sipas Prokurorisë Speciale, e akuzuara Rama-Gashi me të akuzuarën Arjeta Koraqi, në bashkëkryerje kanë aplikuar për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e te rinjve në procesin e Integrimit Evropian” me ç’rast dyshohet të ketë pasur përfitim prej 800 eurosh.

Ndërsa i akuzuari Armend Gashi dyshohet se në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me një mal projektesh fiktive, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së saj – të akuzuarës Zoja Krasniqit.

Përmes këtyre projekteve, Gashi dyshohet të ketë përfituar mbi 10 mijë euro.

Kurse me dy projekte fiktive kishte aplikuar i akuzuari Valon Bllacaku, i cili duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të tij – të akuzuarës Krasniqi, dyshohet të ketë përfituar shumën mbi 2 mijë euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter