|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj oficerit të Shërbimit Korrektues

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj Mentor Avdylaj, oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, i cili akuzohet për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’.

Në seancën e sotme të shqyrtimit gjyqësor u ballafaquan dy dëshmitarët D.M dhe A.L, të cilët kishin dhënë deklarata të ndryshme për të njëjtat çështje në seancat e kaluara dhe trupi gjykues kishte vlerësuar nevojën e ballafaqimit të tyre.

Në pyetjet e dëshmitarit D.M, lidhur me deklaratën e dëshmitarit tjetër A.L se kur ja ka dorëzuar paratë të akuzuarit Mentor Avdylaj për lirimin me kusht të Shpejtim Hoti ka qenë dhe dëshmitari D.M, i cili e ka dërguar me veturë deri tek pompa ‘Shala Petrol’, dëshmitari D.M deklaroi se nuk e ka ditur që A.L është duke shkuar për të ja dhënë paratë të akuzuarit për lirimin e Shpejtim Hoti dhe se nuk është e vërtetë që i është treguar se si është puna.

Ndërsa prokurori i shtetit iu drejtua dëshmitarit D.M me pyetje se a i kujtohet se ka biseduar ndonjëherë me A.L për lirimin me kusht të ndonjë personi, i cili deklaroi se nuk ka biseduar asnjëherë.

Gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor, KTGJ ia tërhoqi vërejtjen mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Fitim Malokaj për sjellje të pahijshme ndaj dëshmitarit bashkëpunues A.L lidhur me një deklarim të tijin ndaj mbrojtësit Malokaj. 

Poashtu në seancën e sotme, u paraqit mbrojtja e të akuzuarit Avdylaj, si dhe fjalët përfundimtare të palëve në procedurë.

Prokurori Bekim Kodraliu deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale, duke kërkuar që ti shqiptohet dënim sipas ligjit në fuqi, ndërsa mbrojtja kërkoi aktgjykim lirues nga trupi gjykues.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 18 mars 2024, nga ora 13:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylajt për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, nga neni 422, par. 1 të KPRK-së dhe Astrit Lajqit për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, i cili tani është në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues.

Sipas aktakuzës, Avdylaj në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, po akuzohet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm të një personi nga burgu, që ishte në vuajtje të dënimit, në atë mënyrë që më 12 mars 2018, në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari Bajram Hoti.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Avdylaj thuhet se 2 mijë euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të Shpejtim Hotit parakohshëm nga burgu, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi thuhet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet nga Bajram Hoti, në prani të dëshmitarit Sherafedin Qerimi dhe ia kishte dërguar Avdylajt.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter