|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shpallet aktgjykim dënues në rastin ndaj oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykim dënues në rastin ndaj Mentor Avdylaj, oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, i cili akuzohet për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fatime Dërmaku, Avdylaj dënohet me 2 vite burgim, si dhe 1 mijë euro gjobë.

Sipas dispozitave ligjore në fuqi, gjykata Avdylajt i shqiptoi edhe dënimin plotësues ‘urdhër për kompensimin e humbjes apo dëmit’ ndaj të dëmtuarit Bajram Hoti dhe atë në shumën prej 2 mijë euro, si dhe ‘ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo shërbime publike’ në kohëzgjatje prej 3 viteve.

I pandehuri obligohet poashtu të paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe pashuallin gjyqësor në shumën prej 100 euro, si dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën prej 50 euro.

Në afat prej 30 ditësh palët kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylajt për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, nga neni 422, par. 1 të KPRK-së dhe Astrit Lajqit për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, i cili tani është në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues.

Sipas aktakuzës, Avdylaj në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, po akuzohet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm të një personi nga burgu, që ishte në vuajtje të dënimit, në atë mënyrë që më 12 mars 2018, në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari Bajram Hoti.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Avdylaj thuhet se 2 mijë euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të Shpejtim Hotit parakohshëm nga burgu, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi thuhet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet nga Bajram Hoti, në prani të dëshmitarit Sherafedin Qerimi dhe ia kishte dërguar Avdylajt.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter