Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor, ndaj të akuzuarve Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht prokurores Arbresha Shala, të akuzuarve, mbrojtësve të tyre dhe dëshmitarëve.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit A.Gj, i cili ka treguar rreth trajtimit të tij në spitalin “EDA”, duke shtuar se pas trajtimit të parë, nuk ka pasur probleme shëndetësore dhe se pas trajtimit të gjitha vizitat i ka kryer tek i akuzuari Borche.
Lidhur me pagesat e kryera për vendosje të stentave, dëshmitari ka deklaruar se pagesat janë kryer nga familjarët e tij.
Sa i përket dëshmitares E.B, e njejts ka deklaruar se nuk për të shtuar diçka tjetër nga ajo që ka deklaruar në prokurori.
Kryetari i trupit gjykues, ka kërkuar nga ana e prokurores që të bëhet një precizim i propozimit të dëgjimit te dëshmitarëve të radhës, për faktin se shumica e dëshmitarëve të propozuar kanë të bëjnë me veprën penale që ka arritur parashkrimi.
Në koherencë të kësaj, prokurorja ka deklaruar se në seancën e radhës do të bëjë precizimin e tillë.
Në mungesë të kushteve ligjore për të vazhduar më tutje, gjyqtari Ajvazi ka caktuar seancën e radhës me datën 22 maj.
Ndryshe sipas aktakuzës, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.
Bakiqi, Tuna, Sylejmani dhe Beqiri pretendohet se nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe me mjekët tani të akuzuar në rastin “Stenta 2”, ishin marrë vesh që pacientët që kishin shkuar për kontroll në institucione publike t’i referonin dhe t’i dërgonin në spitalin privat IMH.
Ndërsa, për këto veprime të njëjtit pretendohet se u jepnin ryshfet, ashtu që për çdo pacient të dërguar për vendosje të stentave u jepnin 500 euro, ndërsa për koronarografi nga 150 euro.
Për veprime të ngjashme, për dhënie të ryshfetit po akuzohen edhe Lulzim Brovina dhe Borche Petrovski, vetëm se këta dy të akuzuar kishin punuar në spitalin “EDA”.
Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen se nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015, duke punuar si mjek në spitalin “IMH”, duke vepruar në bashkëkryerje kanë trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit.
Me këtë rast, sipas prokurorisë këta të akuzuar kishin kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës
Monitoruar nga Gentrit Kuqani