|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-Kryetarit të Komunës së Malishevës dhe të tjerëve

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku ish-kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj së bashku me Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli, Faton Thaqi dhe Ahmet Rrahmanaj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpërlarje të parave dhe mashtrim.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili ka konstatuar se prezent në këtë seancë kanë qenë prokurorja Habibe Salihu, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Tutje, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

I akuzuari Ragip Begaj, ka shfrytëzuar të drejtën që të mos deklarojë, duke shtuar se një gjë të tillë e bënë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Të drejtën që të mos deklarojë, e ka shfrytëzuar edhe i akuzuari Hajdin Berisha.

Ndërsa, i akuzuari Bashkim Krasniqi, ka deklaruar se autoriteti kryesor për regjistrat kadastral, përmirësimin, ndryshimin dhe plotësimin e tyre në kuadër të komunës, është Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, dhe se nuk mund t’a bëjë dikush tjetër këtë punë.

I njejti, ka shtuar se dokumentet i ka nënshkruar për shkak të përmirësimit të gabimeve që lidhen kryesisht me zyrën kadastrale, dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim përmbajtësor të kërkesës së parë, veçse është bërë barazimi i të dhënave.

Në fund, i akuzuari Krasniqi ka shtuar se angazhimi i tij në lidhje me këtë çështje ka qenë që të themelohet një zonë ekonomike që t’ju shërbeje qytetarëve, bizneseve vendore, dhe diasporës dhe asnjëhere nuk ka pasur asnjë qëllim të ndonjë përfitimi personal apo të ndonjë personi tjetër.

Për të vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve tjerë, gjyqtari Ismaili ka caktuar seancën e radhës me datën 17 maj.

Sipas aktakuzës së PSRKS-së të ngritur më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krasniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neëco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter