Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, me trup gjykues Medie Bytyqi, në cilësi të kryetares, Agim Kuçi dhe Gëzim Ademi, në cilësi të anëtarëve, është bërë shpallja e Aktgjykimit lidhur me tre zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës, në rastin ku Jakup Tërnava, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Të akuzuarit e lartpërmendur u shpallën fajtorë për bashkëkryerje në kryerje të veprës penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë”, të paraparë me nenin 422, par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pasi që palët në seancën e datës 3 Prill 2024, konform nenit 356 të Kodit të Procedurës Penale, kishin rezervuar të drejtën e mbajtjes së seancës për caktimin e dënimit, Trupi Gjykues e caktoi këtë seancë për datë 15 Prill, në ora 08:30.
Rikujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku janë akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masë të sigurisë.
Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.
Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku po ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.
Për të akuzuarën Mevlude Nishori, procedura penale është veçuar.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Rina Murseli