|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Ekrem Tahiri dhe Gëzim Dushi për veprën penale “Keqpërdorim i autoritetit apo pozitës zyrtare”.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismajli, pas konstatimit të palëve në procedurë, njoftoi se janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, andaj seanca ka vazhduar me administrimin e provave.

Fillimisht u lëshuan tre video-inçizime në lidhje me fondet e IPA, deklarimi i ish ministres Dhurata Hoxha për fuqizimin e gruas në shoqërine kosovare, pavarësinë e saj dhe mbështetjen e grave të Drenasit, si dhe në fund CD përmbante materialin në lidhje me shfrytëzimin e donacioneve dhe përkrahjen e aftësimit profesional të popullit, sidomos tek të rinjët.

Seanca ka vazhduar me propozimin e provave materiale si kontratën mes “Periskopit” me “PR Solution”, kontratën në mes “PR Solution” dhe mediumit “Info Veriu”, dëshmitë mbi publikimin e banerëve në mes kontratave të “PR Solution” me mediumet tjera, statistikat e klikimeve bashkë me linçet e ndryshme, kontrata mes “PR Solution” me mediumin “Rrokum”, raporti i publikimeve gusht- shtator të komunikatave, publikimet e ndryshme të deklarave të ish ministrës Dhurata Hoxha në muajt shtator, tetor, kontrata mes “PR Solution” dhe mediumit “Tribuna”, publikimi i banerëve, kontrata mes “PR Solution” me mediumin “Epoka e Re”, kontrata mes “PR Solution” me mediumin “Koha Net”, kontrata mes “PR Solution” me mediumin “Gazeta Metro”, kontrata mes “PR Solution” me mediumin “Klan Kosova”, kontrata e “PR Solution me “Drenica Press”.

Provat e tjera ishin “screenshotet” e publikuara nga ky medium, faturat e prezantuara dhe pagesat e tyre, email-et zyrtare të akuzuarve, ekspertiza e ekspertit Agim Sheqiri, informacionet mbi zgjedhjet parlamentare nga Komisioni Zgjedhor, lista e kandidatëve të subjekteve politike etj.

Prokuroria ka shtuar se me qëllim të ndriçimit të fakteve relevante dhe shkallën e dëmit nga vepra penale mund të angazhohen persona që në bazë të kualifikimeve ndihmojnë organet për dhënien e përgjigjeve profesionale, mirëpo në draftimin e ekspertizës nuk kanë qenë të gjitha materialet e plota.

Mbrojtësi i të akuzuarës Dhurata Hoxha, Av. Florent Latifaj i kundërshtoi provat sa i përket të mbrojturës së tij ku thotë se dokumenti nuk e ka datën e lëshimit, datën e pranimit nga komisioni, vulën etj.

Tutje seanca ka vazhduar me deklarimin e mbrojtëses së të akuzuarit Gëzim Dushi, Av. Kosovare Musliu, e cila ka paraqitur vërejtjet në lidhje me publikimet në mediumin Rrokum, ku thotë se sikur shërbimi do realizohej nga MIE atëhere do duhej patjetër të plotësonte kushtet formale sikurse shërbimet e tjera si dhe shton se vërejtjet në lidhje me provat do ti paraqes në fjalën përfundimtare, në fund ka propozuar që edhe dosja e të akuzuarit Gëzim Dushi të administrohet si provë.

Avokati i të akuzuarit Ekrem Tahiri, Av. Driton Muharremi e kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë ku theksoi se nuk ka ekspertizë nga fusha mediale që sqaron dallimin mes banerit, komunikatave dhe shkrimeve ku  përmbajtja e banerave i takon Ministrisë. Në fund deklaroi se dokumenti i propozuar nga Prokuroria nuk ka datë, përshkrim, pranues dhe nuk u arrit të faktohet me prova se është paguar për fushatën zgjedhore nga kompania e të akuzuarit.

Ndërsa avokati i të akuzuarit Fitim Mustafa, Av. Arbër Jashari propozoi si provë deklaratat e secilit anëtar të Komisionit nën betim dhe njoftimin për nënshkrim të kontratës.

Seanca e sotme u ndërpre për arsye se Prokurorisë i nevojitet kohe për përgjigje me shkrim në lidhje me provat e propozuara nga avokati i të akuzuarit Fitim Mustafa Av.Arbër Jashari, ndërsa seanca e radhës caktohet me 04.06.2024 në ora 09:30.

Kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ish ministrja Hoxha po akuzohet se ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik “Pr Solution”, e cila kishte për qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim- asocimit, ndërsa e akuzuara Hoxha këtë e ka shfrytëzuar që të bëj promovimin e fushatës së saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit 2019 dhe se promovimi ishte realizuar duke publikuar banerët dhe videot të cilat lidheshin me fushatën zgjedhore të të akuzuarës Hoxha, e që ishte në kundërshtim me kushtet e kësaj kontrate.

Ish Ministrja Hoxha akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, i pandehuri Fitim Mustafa, po akuzohet se si zyrtar në Prokurorim të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke vendosur kritere shtesë ndaj Operatorëve Ekonomik, në mënyrë që të shpërbëhej Operatori Ekonomik “PR Solution”. Ndërsa i akuzuari Ekrem Tahiri akuzohet se në cilësinë e bashkëpronarit të operatorit ekonomik “PR Solution” nuk kishte kryer punët e kontraktuara sipas kontratës, mirëpo i njëjti kishte kryer shërbime të cilat nuk ishin në pajtim me kushtet e kontratës dhe se me këtë ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në fund i akuzuari Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, duke qenë menaxher i kontratës “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate.

I akuzuari Gëzim Dushi akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa tëvërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Jon Ramadani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter