Në Gjykatën Themelore të Prishtinës- Departamenti për Krime të Rënda, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ku i akuzuari Liman Buzoku akuzohet për veprën penale Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim.
Fillimisht, gjyqtari Gëzim Ademi ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë, respektivisht të prokurorit Bashkim Zeqaj, dëshmitarit Faton Kabashi dhe avokatit të akuzuarit Liman Buzoku Av. Besnik Berisha.
Avokati i të akuzuarit Liman Buzoku Av.Besnik Berisha deklaroi se i akuzuari për arsye personale e kishte të pamundur që të jetë prezent në seancën e sotme dhe i ka premtuar avokatit të tij se gjatë seancave të ardhshme do të paraqitet në gjykatë, andaj për këtë arsye Gjykata vendosi ta shtyej seancën e sotme, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar me datë 19.06.2024 në ora 09:30.
Kujtojmë se sipas aktakuzës, i akuzuari shkel rregullat e prokurimit publik me vetëdije gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që në pozitën e Drejtorit të Kompanisë “MATKOS PHARMË” ka ofertuar me dokumentacion të rrejshëm, ku më pas është bërë edhe anulimi i tenderit.
Andaj, i akuzuari Liman Buzoku po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim”.
I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Jon Ramadani